Konfirmohet edhe një rast me koronavirus, shkon në 17 numri i të infektuarve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se tashmë janë 17 raste të konfirmuara si persona të infektuar me koronavirus në Kosovë.

Ai bëri të ditur se janë 10 pacientë të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK me një gjendje stabile, përveç njërit nga ta i cili është më i moshuar, e për të cilin mjekët po asistojnë me oksigjenoterapi.

“Deri më sot në Kosovë janë testuar 271 mostra të dyshimta dhe 17 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Informatat nga klinika infektive është se gjendja e pacientëve që janë duke u trajtuar e që janë 10 është stabile dhe me përjashtim të njërit nga pacientët, të tjerët janë duke marrë një trajtim mjekësor mbështetës. Dy nga të hospitalizuarit janë liruar për në shtëpi dhe do të qëndrojnë në vetkarantinë”, ka deklaruar ministri.

Ministri Vitia tha se dy nga të hospitalizuarit janë liruar në shtëpi, të cilët janë në gjendje stabile shëndetësore dhe do të qëndrojnë në vetkarantinë.

Kurse drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani ka treguar se i infektuari me koronavirus është nga fshati Dunicë i Podujevës.