Federata e Maqedonisë zyrtarisht i drejtohet UEFA-s për shtyrjen e ndeshjes me Kosovën

Federata e futbollit të Maqedonisë së Veriut zyrtarisht i ka kërkuar UEFA-s shtyrjen e ndeshjes me Kosovën. Ndeshja Kosovë Maqedoni e Veriut ishte caktuar të luhej më 26 mars 2020 në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup.

Kërkesa e tyre, përveç problemit me tifozët, të cilët tashmë janë ndaluar për këtë ndeshje nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, ata kanë potencuar edhe problemin me arritjen e futbollistëve të përfaqësueses së tyre në Maqedoni, transmeton KOHA.

Për shkak të masave të qeverisë maqedonase, disa nga futbollistët e tyre, të cilët do të vinin nga vendet me nivel të nartë të pranisë së koronavirusit, eventualisht do të detyroheshin të izoloheshin në karantinë për 14 ditë.

Kjo është bërë e ditur nga Federata e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë shkruar:

Federata e futbollit të Maqedonisë edhe zyrtarisht me shkresë në UEFA ka kërkuar të shtyhet ndeshja Maqedoni-Kosovë në kuadër të gjysmëfinales së balotazhit për kualifikim në Kampionatin Europian, e caktuar të luhet më 26 mars 2020 në Arenën nacionale “Todor Proeski” në Shkup.

Në letrën e drejtuar deri te Shtëpia e futbollit Europian, përveç problemit me tifozët (ndalesë për praninë e publikut nga ana e Qeverisë së vendit), FFM potencon problemin me arritjen e futbollistëve të ekipit përfaqësues në vendin tonë, gjegjësisht izolimin-karantinën eventuale të disa futbollistëve të caktuar që do të vinin nga vendet me nivel të lartë të pranisë së virusit COVID-19.

Pikërisht shkaku i këtyre shkaqeve të jashtëzakonshme, Federata e futbollit të Maqedonisë është në komunikim të vazhdueshëm dhe intenziv me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin për shëndet publik dhe në tërësi përmbahemi me rekomandimet e tyre, masat për parandalim apo edhe ndalesat.

Gjithashtu, pas konsultimeve me përfaqësues të Federatave të futbollit të Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, kur dihet se njëra prej dy vendeve do të jetë vendas i duelit final të Ligës së Kombeve më 31 mars ku do të diskutohet kualifikimi në EURO 2020, informatat jozyrtare thonë se është e mundshme që përfaqësuesja që do të sigurojë kualifikim në finale, të përballet me masa të caktuara për kujdes dhe mbrojtje shëndetësore gjatë hyrjes në cilindo prej dy vendeve. Edhe në aspekt të kësaj problematike, FFM gjithashtu është në kontakt të vazhdueshëm me dy federatat e vendeve të lartëpërmendura dhe UEFA-n.

Në pajtueshmëri me rekomandimet e fundit dhe ndalesat nga Qeveria e Maqedonisë për preventiva ndaj virusit COVID-19, Komisioni për futboll te moshat solli vendim që gjitha ndeshjet e kategorive të reja dhe ndeshjet e Ligave të fëmijëve të FFM të pezullohen për dy javët e ardhëshme.”