FIFA e publikon renditjen e re, kjo është pozita e Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll nuk ka lëvizur në renditje në ranglistën e FIFA-s për muajin gusht, të publikuar të enjten. Sikurse në ranglistën e fundit, edhe në ranglistën e re, Kosova renditet në pozitën e 106 me 1183 pikë të grumbulluara.

“Dardanët” prej muajit qershor nuk kanë zhvilluar ndeshje, ndërsa në shtator luajnë në kuadër të Ligës së Kombeve. Po ashtu, edhe Përfaqësuesja e Shqipërisë ka mbetur në pozitën e 66-të, në të cilën ishte së fundmi, me 1261 pikë të mbledhura.

Gjithashtu, renditja e re e FIFA-s nuk ka pësuar ndryshime as në dhjetë pozitat e para. Brazili mbetet në krye me 1837 pikë, i përcjellë nga Belgjika (1821), Argjentina (1770), Franca (1764), Anglia (1737), Spanja (1716), Italia (1713), Holanda (1679), Portugalia (1678) dhe Danimarka (1665) që kompleton top-dhjetëshen e FIFA-s.