Fiton Shqipëria

Dy gola të bukur në pjesën e dytë i kanë dhënë fitoren Shqipërisë ndaj Moldavisë. Të shtunën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë, Shqipëria fitoi 2:0 ndaj moldavëve.

Ndeshja i ka takuar Grupit E të eliminatoreve për Euro 2024. Për kuqezinjtë ishte fitorja e parë. Ndërkohë për Moldavinë ishte humbja e parë, pas dy barazimeve në muajin mars.

Stadiumi ishte i stërmbushur me shikues që kanë parë shfaqje të bukur futbolli. Të përzgjedhur e Sylvinhos kanë dominuar plotësisht në fushë dhe morën pikët e para në këtë cikël eliminator.

Në pjesën e parë Shqipëria ia afrua golit me Sokol Çikalleshin, që goditi traversën nga distanca. Gola megjithatë nuk pati në pjesën e parë. Në minutën e 52-të Jasir Asani shënoi supergol për 1:0. Ai goditi mjeshtërisht nga distanca.

Golin e dytë, që po ashtu ishte i bukur, e shënoi Nedim Bajrami në minutën e 76-të. Bajrami goditi ulët, ndërsa topi përfundoi në rrjetë.

Shqipëria ishte paraqitur mirë edhe ndaj Polonisë më 27 mars, por megjithatë ishte mposhtur 1:0. Ndërkohë Moldavia kishte barazuar 1:1 me Ishujt Faroe e më pas me Çekinë.

Me fitore, Shqipëria doli në vendin e tretë në grup me tri pikë. Çekia udhëheq me shtatë pikë, por nga tri ndeshje. Polonia po ashtu i ka tri pikë nga dy ndeshje. Moldavia i ka dy pikë nga tri ndeshje, ndërsa përfaqësuesja e Ishujve Faroe mbetet me një pikë nga dy ndeshje.

Të martën, kuqezinjtë luajnë në udhëtim ndaj Ishujve Faroe. Synohet tjetër fitore për hap të madh drejt kualifikimit në Euro 2024.