Floil rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar në stoqe, të mjaftueshme për rreth 1 muaj konsum

Kryeministri  i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, vizituan sot fabrikën “ Floil” në Gjilan, ku panë nga afër dhe u njoftuan  nga pronari i kësaj kompanie, Berat Mustafa, për punën që bën kjo kompani, procesin e prodhimit të vajit ushqimor dhe ambientin ku prodhohet ai.

Pas vizitës që i bëri kompanisë, kryeministri Kurti tha se kjo është rafineria e vetme e përpunimit të vajit që e kemi në vendin tonë dhe me këtë rast u njoftuam që në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, i cili pas përpunimit do të mjaftojë për rreth 1 muaj për konsumin që ekziston në Republikën e Kosovës.

“Është lajm për gjithë qytetarët e Republikës, se tashmë kemi vaj të papërpunuar që do të përpunohet dhe do të mjaftojë për konsumin rreth një muaj. Ndërkohë, gjatë këtij muaji ne do të angazhohemi si Qeveri e Republikës së Kosovës, që të gjejmë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar në shtete mike, partnere, aleatët tanë, ashtu që në Kosovë të vijë vaji i papërpunuar, që mund të përpunohet dhe në këtë mënyrë të mos ketë mungesa në vendin tonë”, u shpreh ai.

Më tej, kryeministri Kurti tha se është e vërtetë që për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit dhe invazionit rus, kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare, që po i afrohet nivelit prej 3000 dollarë për një ton të vajit të papërpunuar. Megjithatë, ai tha se aktualisht, kërkesa është artificialisht shumë më e lartë se sa konsumi dhe se nuk është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë e që po bëhet si shitje.

Kompania “Floil” prodhon vajin e vetëm vendor në industrinë e ushqimit “FLOIL”, cilësia e së cilës është verifikuar nga ekspertët italian për kualitetin e tij dhe që i plotëson standardet ndërkombëtare të ushqimit IFS. Po ashtu, kjo kompani ka të mbjellë afër 40 hektarë sipërfaqe me lulediell, kulturë kjo e cila me vendimin e qeverisë do të përkrahet me 36 për qind, për vitin 2022.

Deklarata e plotë e kryeministri Kurti për media:

Bashkë me dy ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Faton Pecin, erdhëm tek kompania “Floil”, në mënyrë që të shohim për së afërmi prodhimtarinë e vajit ushqimor në Kosovë. Kjo është rafineria e vetme e përpunimit të vajit, që e kemi në vendin tonë dhe me këtë rast u njoftuam që në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, i cili pas përpunimit do të mjaftojë për rreth 1 muaj për konsumin që ekziston në Republikën e Kosovës.

Pra, është lajm për gjithë qytetarët e Republikës, se tashmë kemi vaj të papërpunuar që do të përpunohet dhe do të mjaftojë për konsumin rreth një muaj. Ndërkohë, gjatë këtij muaji ne do të angazhohemi si Qeveri e Republikës së Kosovës, që të gjejmë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar me shtetet mike, partnere, aleatët tanë, ashtu që në Kosovë të vijë vaji i papërpunuar, që mund të përpunohet dhe në këtë mënyrë të mos ketë mungesa në vendin tonë.

Aktualisht, kërkesa është artificialisht shumë më e lartë se sa konsumi. Nuk është as për së afërmi duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë e që po bëhet si shitje. Është e vërtetë që për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit dhe invazionit rus atje, kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare, i cili po i afrohet nivelit prej 3000 dollarë për një ton të vajit të papërpunuar.

Sido që të jetë, në Kosovë kemi edhe rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar që pas përpunimit në këtë rafineri mjafton për një muaj konsum normal.