Fruta më e mirë për shëndetin e trurit

Shumë njerëz e dinë se ushqimet që i hamë, me kalimin e kohës, mund të kenë një ndikim pozitiv për trurin. Në fakt, disa ushqime mund ta dëmtojnë kujtesën dhe ta rrisin rrezikun e çrregullimeve neurodegjenerative, ndërsa të tjerat mund të ndihmojnë në parandalimin e humbjes së kujtesës, raporton portali “Eat This, Not That”.

Tani, një studim i ri zbulon se ngrënia e boronicave të kuqe mund ta ndihmojë shëndetin e trurit ndërsa plakeni.

Në studimin e botuar në revistën “Frontiers in Nutrition”, hulumtuesit e ekzaminuan një grup prej 60 personave të moshës 50 deri në 80 vjeç, për një periudhë prej 12 javësh, duke plotësuar disa nga dietat e tyre me pluhur boronicash të ngrira. Bazuar në vlerësimet kognitive para dhe pas 12 javëve, personat të cilëve iu dha pluhuri i boronicës së kuqe kishin memorie episodike dhe funksionim nervor më të mirë.

Ndërsa rezultatet e këtij studimi janë premtuese, është e paqartë nëse kjo frutë mund të ndihmojë në mbrojtjen nga sëmundjet serioze neurologjike.

Për më tepër, ndërsa boronicat mund të jenë të dobishme për mendjen e njeriut, ndryshimi më i mirë që mund të bëhet për t’ju mbajtur të mprehtë, për sa i përket zgjedhjeve ushqimore, është ndryshimi i dietës në përgjithësi.

Ekspertët shëndetësorë rekomandojnë që të ndiqet dieta Mesdhetare, e cila është e pasur me perime, fruta, drithëra integrale, peshk dhe yndyra të shëndetshme, për një shëndet më të mirë të trurit dhe për mbrojtjen nga demenca.

Megjithëkëtë, është e sigurt të rekomandohet përfshirja e disa porcioneve me fruta në dietën e përditshme, veçanërisht manaferrat, si një mënyrë për të parandaluar problemet me kujtesën që lidhen me plakjen.