Xhavit Haliti

Gara e partive politike, ja çfarë parashikojnë analistët për VV-në, PDK-në, LDK-në e AAK-në, – NISMA rrezikon pragun

Partitë politike tashmë kanë bërë certifikimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i vetëm politik nga partitë e mëdha shqiptare që garon në koalicion bashkë me Listën Guxo, Alternativën si dhe me Partinë Shqiptare Demokristiane.

Partitë e ish-opozitës kanë garuar secila veç e veç, si Partia Demokratike e Kosovës e cila garon me siglën e saj të vetme, por që në kuadër të listës ka futur disa ish-deputetë të VV-së dhe AAK-së në listë.

Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu garon e vetme,  por që brenda listës së saj ka futur Partinë e Drejtësisë dhe Aleancën Kosova e Re.

Në anën tjetër AAK dhe NISMA të cilat kishin garuar bashkë në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë vendosur që në këto zgjedhje të garojnë të vetme.

Shkëlzen Maliqi analizon garën e 28 dhjetorit: NISMA rrezikon pragun, AAK e kalon por me rrezik, VV në rënie,  PDK e LDK me rritje

Analisti politik Shkëlzen Maliqi, për FrontOnline, ka komentuar skenën politike pas certifikimit të subjekteve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke dhënë parashikimin e tij për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Maliqi vlerëson se NISMA Socialdemokrate është pothuajse e pamundur të kalojë pragun zgjedhor.

“Nuk kalon, shumë vështirë me kalu vetë NISMA sepse i ka vetëm 2–3%”, ka deklaruar ai.

Ai ka thënë se AAK-ja qëndron më mirë, megjithëse jo pa rrezik.

“AAK-ja ka gjasë me kalu sepse ka shtrirje, eventualisht ka gjasa me kalu pragun, rrezikohet ngapak edhe pse zgjedhjet lokale dhe qendrore dallojnë”, u shpreh Maliqi.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje pritet të humbasë një pjesë të konsiderueshme të votave të vitit 2021.

“VV ka me rënë edhe pak sepse nuk janë ato votat e 2021 që ia ka sjellë Vjosa dhe Guxo; i ka humbur 5–6 përqind në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti,” tha ai, duke shtuar se ka pakënaqësi edhe brenda partisë.

“Edhe vetë brenda VV-së ka të pakënaqur… s’ka mbetur askush nga të parët e VV-së. Janë rreth 38% sipas një ankete që kam parë, i humbin edhe 7 deputetë, mund të dalin të parët,” theksoi Maliqi, për FrontOnline.

Ai shtoi se sondazhet aktuale tregojnë ngritje për opozitën. “Sipas anketës rritje ka edhe PDK edhe LDK,” u shpreh Maliqi.

Ai foli edhe për ndikimin e votës së diasporës, duke kundërshtuar idenë se ajo i përket pothuajse tërësisht Vetëvendosjes.

“Deri diku ndikon diaspora, por jo aq shumë… po mendohet se gjithë diaspora janë LVV. Ajo ka punu pak më shumë, por s’e ka disponimin. Ka njerëz edhe nga diaspora që i votojnë partitë tjera,” tha ai për FrontOnline.

Sipas tij, ndikimi i kësaj vote nuk është vendimtar:

“Votat e tyre janë 2–3% plus-minus, pra s’janë vendimtare. Nuk është aq e sigurt, por është propagandë dhe bindje se krejt diaspora është LVV”.

Analisti politik Xhevdet Pozhari, për FrontOnline, ka komentuar zhvillimet e fundit zgjedhore pas certifikimit të subjekteve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke vlerësuar se partitë e mëdha po hyjnë në garë të vetme, ndërsa subjektet e vogla po mbeten jashtë koalicioneve.

Pozhari thotë se skena politike këtë herë po paraqitet pa befasi në aspektin e kandidatëve për kryeministër.

“Emrat e kandidatëve për kryeministër të njëjtit”, ka deklaruar ai për FrontOnline.

Ai vëren se partitë e mëdha kanë preferuar bashkëpunime të kufizuara me subjektet e vogla, por vetëm nën logon e tyre, duke mos pranuar krijimin e koalicioneve të mirëfillta.

“Partitë politike kanë pasur bashkërendime me partitë më të vogla por nën logon e tyre dhe nuk kanë pranuar që të shkojmë në koalicione, dhe nga kjo ka pësuar NISMA,” ka thënë Pozhari.

Sipas tij, NISMA Socialdemokrate është në rrezik serioz që të mos jetë pjesë e Kuvendit pas 28 dhjetorit.

“Mendoj se NISMA del nga skena politike në këto zgjedhje,” është shprehur ai.

Pozhari ndalet edhe te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke theksuar se mbijetesa e saj parlamentare varet nga mobilizimi i votuesve.

“AAK varet në masë të madhe nëse arrin të bindë elektoratin dhe a ka nevojë vendi për një parti të katërt, sepse ka predispozitë që votuesit të orientohen drejt tri partive të mëdha,” ka deklaruar ai për FrontOnline.

Sa i përket rezultatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Pozhari thotë se mbetet subjekti favorit i këtyre zgjedhjeve.

“Në këto zgjedhje prap bindshëm do të jetë LVV-ja, por me çfarë rezultati mbetet të shihet,” ka theksuar analisti.

Artan Muhaxhiri: Partitë po hyjnë të vetme në zgjedhje – NISMA s’ka gjasa, AAK rrezikon pragun

Analisti politik Artan Muhaxhiri, për FrontOnline, ka komentuar zhvillimet zgjedhore pas certifikimit të subjekteve nga KQZ-ja, duke theksuar se dinamika politike para 28 dhjetorit ka qenë e pritshme dhe pa lëvizje të mëdha në krijimin e aleancave.

Sipas tij, partitë politike kanë ndjekur një kurs të paralajmëruar më herët.

“Veprimet e partive politike kanë qenë të parashikueshme sepse nuk ka pasur indikacione për krijimin e ndonjë blloku me të madhe të aleancave mes partive”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Ai e konsideron garimin e subjekteve kryesisht të vetme si një formë më të drejtë për matjen reale të mbështetjes.

“Shkuarja në zgjedhje këso forme është edhe më korrekte sepse do të dihet saktësisht niveli i besimit të elektoratit veç e veç”, ka shtuar analisti për FrontOnline.

Muhaxhiri paralajmëron se partitë e vogla janë më të rrezikuarat në këtë konfigurim.

“Ajo që duhet të veçohet te partitë e vogla është se kjo ua zvogëlon gjasat për t’i kaluar pragun. AAK-ja rrezikon për së tepërmi kalimin e pragut, derisa NISMA nuk ka asnjë gjasë reale për ta bërë këtë”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se partitë e mëdha nuk kanë parë interes afatgjatë në përfshirjen e subjekteve të vogla brenda koalicioneve.

“Kjo ka bërë që partitë e mëdha… përfshirja e partive të vogla në zgjedhje u konvenon partive të vogla por jo edhe atyre. Në një moment ato do të mund të shkëputen në të ardhmen dhe s’ka pasur garanci nga ana tyre afatgjatë, dhe kjo mund ta dobësojë skenën politike kosovare”, ka theksuar ai për FrontOnline

Muhaxhiri thotë se, megjithëse aktualisht nuk ka shenja për ndryshime drastike, rezultati i vërtetë do të shihet më 28 dhjetor.

“Aktualisht nuk ka indikacione për ndryshime të mëdha, por duhet pritur 28 dhjetorin në mënyrë që ta shohim”, u shpreh ai.

Në fund, analisti ka theksuar nevojën për freskim të skenës politike.

“Është e domosdoshme që të ketë personalitete të reja dhe resurse”, ka përfunduar Muhaxhiri.