Shumë njerëz nuk konsumojnë mjaftueshëm proteina, sidomos në mëngjes, dhe kjo mund të ndikojë në energjinë, metabolizmin, ndjenjën e urisë dhe shëndetin në përgjithësi. Ekspertët paralajmërojnë për disa gabime të zakonshme që mund t’i bëjnë njerëzit në përpjekje për të marrë më shumë proteina në dietë, ka shkruar The Washington Post.
1 Mëngjes pa proteina
Shumica e njerëzve marrin më shumë proteina në darkë, por shumë pak në mëngjes, duke konsumuar ushqime si bukë, drithëra apo brumëra të pasura me karbohidrate, por jo me proteina.
“Njerëzit më thonë: ‘Nuk ndaloj dot së ngrëni gjatë ditës’ apo ‘kam gjithë kohës dëshirë për ëmbëlsira’. Kur shtojmë proteina në mëngjes, kjo i ndihmon shumë. U jep ndjesinë e kontrollit mbi ushqimin”, ka thënë dietologia Anne Kozil.
Ajo ka sugjeruar 25–30 gramë proteina në mëngjes. Dietologia ka rekomanduar vezë të ziera, kos me fara dhe fruta, gjizë, fasule apo pije “smoothie” me proteinë pluhur.
2 Besimi i gabuar te gjalpi i kikirikut
Shumë persona mendojnë se gjalpi i kikirikut është burim i mirë proteinash.
“Po të lexosh etiketën, do kuptosh që është kryesisht yndyrë. Është ushqim i shëndetshëm, por jo burim i lartë proteinash”, ka thënë eksperti i ushqimit Jose Antonio.
2 lugë gjalpë kikiriku kanë vetëm 7 gramë proteina, 16 gramë yndyrë dhe 190 kalori. Ai ka rekomanduar që ky gjalpë të konsumohet me kujdes nëse dikush nuk dëshiron të shtojë peshë.
3. Mungesa e proteinave te të moshuarit
Pas moshës 60 vjeç, trupi humbet më lehtë masën muskulore dhe reagon më pak ndaj proteinave, një fenomen që quhet “rezistencë anabolike.”
“Duhet të mbrojmë muskujt që kemi”, ka thënë dietologia Katie Dodd.
Për personat mbi 65 vjeç, ajo rekomandon 0.45–0.54 gramë proteina për çdo kilogramë të peshës trupore, që për një të moshuar 68 kilogramë do të ishte 68–81 gramë proteina në ditë.
4. Konsum i tepërt i mishit të kuq dhe të përpunuar
Mishi i kuq dhe i përpunuar si sallami, hot-dogët, apo proshuta kanë shumë yndyra të ngopura dhe kripë, çka rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer (sidomos kolorektal).
Instituti Amerikan për Studime mbi Kancerin rekomandon jo më shumë se 3 porcione mish të kuq në javë dhe të shmanget sa më shumë mishi i përpunuar.
5. Moskonsumimi i mjaftueshëm i peshkut
Peshku është burim i shkëlqyer proteinash dhe acidit yndyror omega-3. Por 90% e amerikanëve nuk hanë peshk as dy herë në javë, siç rekomandohet.
Studimet tregojnë se njerëzit që konsumojnë më shumë peshk jetojnë më gjatë dhe kanë shëndet më të mirë të zemrës dhe trurit.
Peshq të shëndetshëm janë salmoni, sardelet, trofta dhe peshku skumbri. Ushqime të tjera të shëndetshme të detit janë midhjet dhe guaskat.
6. Mospërdorimi i bimëve të pasura me proteina
Fasulet, qiqrat, bizelet dhe thjerrëzat janë të mbushura me proteina, fibra dhe lëndë ushqyese. Vetëm 1 kupë fasule të gatuara ofron 15–18 gramë proteina dhe më shumë se gjysmën e sasisë së përditshme të fibrave.
“Fasulet janë ndoshta ushqimi më i mirë në botë. Janë të lira, të pasura me fibra që na mungojnë, na mbajnë të ngopur dhe janë plot me proteina”, ka thënë Kozil.