Gjashtë muaj afat që të konfirmohet ose hudhet poshtë aktakuza ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka ngritur aktakuzë ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Këtë e kanë konfirmuar për klankosova.tv nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në përgjigjen e tyre thuhet se tashmë Nikola Giju është caktuar si gjykatësi i procedurës paraprake i cili ka afat gjashtë muaj, që nga momenti i ngritjes së aktakuzës (29 tetor), ta konfirmojë ose hedhë poshtë aktakuzën.

“Më 29 tetor, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës e ka caktuar gjykatësin e procedurës paraprake në çështjen e [Hysni] Gucatit dhe [Nasim] Haradinajt”.

“Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, gjykatësi i procedurës paraprake ka, varësisht specifikave të rastit individual, gjashtë muaj kohë nga ngritja e aktakuzës dhe gjithë materialit mbështetës që ta marrë një vendim nëse e hedh poshtë ose e konfirmon aktakuzën”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Vendimi për caktimin e gjykatësit të procedurës paraprake  për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn tashmë është bërë publik edhe në uebfaqen zyrtare të Dhomave të Specializura dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Më 29 tetor 2020, Prokurori i Specializuar e njoftoi Kryetaren në pajtim me rregullën 86(1) të Rregullores për procedurat që do të iniciohen në pajtim me nenin 38(4) të Ligjit dhe rregullën 86(2) të Rregullores, dhe kërkoi caktimin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake në pajtim me nenin 33(1)(a) të Ligjit”, thuhet nw vendim të cilin e gjeni KËTU

Se tashmë ka një aktakuzë për Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucatin e kishte thënë dje edhe avokati përfaqësues i OVL-së së UÇK-së Tomë Gashi.

“Aktakuza eshte ngritur kunder z.Nasim Haradinaj dhe z. Hysni Gucati. Prokuroria Speciale në Hagë ka akuzuar të njëjtit sipas tyre për pengim të drejtësisë e që ka të bëjë me publikimin e dosjeve të cilat persona të panjohur i kanë sjell në zyrat qendrore të OVL të UÇK –së. Tani lënda është tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake i cili do ta hedhë aktakuzën apo do ta vërtetojë”, ka shkruar Gashi në rrjetin social Facebook.

Por, ndryshe ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku

Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk është konfirmuar aktakuza ndaj Hysni Gucatit, kryetarit të OVL UÇK-së dhe Nasim Haradinajt, nënkryetarit të OVL UÇK-së.

“Sapo u informova nga nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj, se aktakuza ndaj tij dhe Hysni Gucatit nuk është e konfirmuar dhe për ngritje të aktakuzës nuk kanë njohuri as ata dhe as avokatët e tyre”.

Kryetari i OVL-së së UÇK-së Hysni Gucati dhe nënkryetari i OVL-së së UÇK-së Nasim Haradinaj ishin arrestuar më 25 shtator.

Ata akuzohen për veprat penale “frikësim” dhe “hakmarrje” ndaj dëshmitarëve, si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.