Gjendja me koronavirusin po shkakton shqetësime serioze për prodhuesit vendor

Drejtuesit e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, sot janë takuar me ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, me të cilin biseduan rreth gjendjes së krijuar nga virusi koronavirusi.

Gjatë takimit u diskutuan efektet dhe pasojat që kjo situatë mund të shkaktoj në ekonominë e vendit, por edhe për gjetjen e zgjidhjes dhe tejkalimit të kësaj krize. 

Drejtuesit e Klubi të Prodhuesve u zotuan që sektori i prodhimit do të vazhdoj punën duke respektuar vendimet dhe rregullat nga situata e krijuar, por kërkuan më shumë mbështetje për prodhimin si dhe sigurimin dhe mbrojtjen e së ardhmes së këtij sektorit në Kosovë edhe ashtu shumë të brishtë edhe para kësaj krize.

Ata treguan që e kuptojnë që një prej sfidave më të rëndësishme me të cilat po përballet aktualisht Qeveria e Kosovës është mbajtja nën kontroll e gjendjes pa panik dhe izolimi sa më i shpejtë i virusit COVID-19.

Por, gjithashtu treguan që kjo gjendje është duke shkaktuar shqetësime serioze për prodhuesit vendas dhe efektet që do të ketë kjo krizë në ekonominë e vendit, prandaj është mese e domosdoshme mbështetja e Qeverisë për prodhuesit në këto momente.