Xhavit Haliti

Glauk Konjufca pret që nesër të formohet edhe Qeveria

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se dita e mërkurë pritet të jetë vendimtare për jetën institucionale të vendit, pasi përveç konstituimit të Kuvendit, synohet edhe formimi i Qeverisë së re.

Ai është shprehur optimist se procesi do të përmbyllet me sukses, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar gjithmonë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht përplasjeve politike që kanë ekzistuar në të kaluarën.

“ Nesër do të bëhet Kuvendi dhe shumë shpresoj që do të bëhet edhe Qeveria. Ne asnjëherë nuk i kemi refuzuar aktgjykimet e Kushtetueses. Kanë qenë beteja politike, por kur Gjykata Kushtetuese i ka dhënë vulë një vendimi, ne jemi tërhequr”, ka deklaruar Konjufca.

Ndërkohë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për datën 11 shkurt, duke filluar nga ora 12:00.

Nga Presidenca është bërë e ditur se caktimi i kësaj date ka ardhur pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare, si dhe duke marrë parasysh urgjencën për krijimin e institucioneve të reja. Sipas njoftimit, vonesat në konstituim po ndikojnë drejtpërdrejt në miratimin e buxhetit të shtetit dhe në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, çështje këto me rëndësi të veçantë për funksionimin normal të shtetit.