Glauk Konjufca shpallet i pafajshëm për akuzat për lotsjellësin në Kuvend

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, nga akuza për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 18 gusht 2016.

Gjyqtarja Edita Çanta tha se përgjatë procesit gjyqësor nuk është vërtetuar që Konjufca, sa ishte deputet opozitar, e ka kryer veprën penale për të cilën e akuzon Prokuroria Themelore në Prishtinë. Aktakuza për këtë rast ishte ngritur më 2017 dhe përmbante edhe akuzën për veprën penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, mirëpo ndjekja për këtë vepër penale është parashkruar vitin e kaluar.

Në mbledhjen e vitit 2016 ku u hodh gaz lotsjellës në rend dite ishte futja në agjendë legjislative e Marrëveshjes për Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi.

Në paraqitjen e mbrojtjes, Konjufca është mbrojtur në heshtje.

Atëkohë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar ashpër Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe atë për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Përdorimin e gazit lotsjellës si formë kundërshtimi në Kuvend e pati konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti në një shqyrtim gjyqësor para më shumë se gjashtë vjetësh.“Kemi provuar me pipa vërshëllyes, me vezë, edhe më ujë e kemi provuar, edhe me gaz lotsjellës që të mos lejojmë kurrsesi ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Kurti në një shqyrtim gjyqësor më 20 dhjetor 2017, në rastin ku ai dhe tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje po gjykoheshin për hedhje gazi lotsjellës.