Grenelli do ta lë postin e ambasadorit amerikan në Gjermani

Gazetari i Daily Wire, Ryan Saavedra, ka bërë të ditur një lajm, të cilin e ka quajtur ekskluziv, duke njoftuar se ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, do ta lë këtë post.

Ushtruesi i Detyrës i Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare Richard Grenell ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë se ai do të japë dorëheqjen nga roli i tij si Ambasador i SHBA-së në Gjermani pasi republikani John Ratcliffe të konfirmohet nga Senati në këtë pozitë, transmeton Koha.net.

Grenelli, sipas DW, njoftoi Shtëpinë e Bardhë për vendimin e tij pasi Presidenti Donald Trump tha se Ratcliffe do të ishte Drejtori i ardhshëm i Inteligjencës Kombëtare.

Kjo i bie se Grenelli do të jetë vetëm emisar për dialogun Kosovë – Serbi.

“Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Richard Grenell, e ka njoftuar Shtëpinë e Bardhë se ai do të japë dorëheqje nga pozita e ambasadorit amerikan në Gjermani sapo John Ratcliffe të konfirmohet nga Senati në këtë pozitë”, ka shkruar Saavedra.

Këtë e ka publikuar edhe djali i Trumpit, Donald trump Jr, duke shkruar “Ashtu siç edhe pritej, Faleminderit për gjithçka që bëre Richard Grenell”.