Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se kjo parti mbetet e hapur për Fatmir Limaj, duke theksuar se pret mbështetjen e tij në zgjedhjet e 7 qershorit.
Në emisionin “Click” në RTV21, Hamza është shprehur i bindur se do të jenë bashkë me liderin e Nismës, me të cilin tha se ka raporte të mira personale prej më shumë se dy dekadash.
“As kemi humb ne, as Fatmir Limaj. Fatmirin e kam mik për së vërteti dhe më vjen mirë që kushdo që nuk e ka mik si unë. Njihemi më shumë se 23-24 vite dhe nuk kemi pasur asnjëherë luhatje në raportet personale. Jam i bindur se jemi bashkë me Limajn dhe pres që ai ta japë mbështetjen e vet. Është në të drejtën e tij”, është shprehur Hamza.
Ai ka thënë se Limaj është i mirëpritur që t’i bashkohet garës së brendshme zgjedhore në PDK pas zgjedhjeve.
“Në procesin e ardhshëm zgjedhor brenda PDK-së, që do të mbahet menjëherë pas zgjedhjeve, Fatmir Limaj është i mirëpritur në radhët e PDK-së, në një proces të brendshëm zgjedhor për të gjitha nivelet – Kuvendin e partisë, Këshillin dhe Kryesinë. Besoj që bashkë do të jemi më të fuqishëm”, ka deklaruar Hamza.