Xhavit Haliti

Haradinaj: AAK e përkrah angazhimin e Kosovës në Bordin e Paqes

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim ku është diskutuar për Bordin e Paqes, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend dhe në rajon.

Haradinaj ka vlerësuar lart pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, duke theksuar se kjo ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përbën një moment të rëndësishëm për shtetin e Kosovës.

“Çdo partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çdo iniciativë ku jemi krah njëri-tjetrit, është i rëndësisë së veçantë për Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e mbështet pa asnjë hezitim këtë angazhim, duke e konsideruar atë si një hap strategjik që forcon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe marrëdhëniet me aleatin kryesor të saj.

Sipas Haradinajt, përfshirja e Kosovës në iniciativa të tilla ndërkombëtare është në funksion të paqes, stabilitetit dhe avancimit të interesave shtetërore të vendit.