Haradinaj kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri

Deputetët janë mbledhur këtë të enjte për të zhvilluar një seancë plenare.

Në rend të ditës janë shtatë pika dhe më e rëndësishmja është pika e katërt pasi bëhet fjalë për shqyrtimin e dytë të projektligjit  për prokurorin e shtetit, transmeton Klan Kosova.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të shtyhet data e zgjedhjeve për katër komunat në veri të Kosovës.

“Nëse Kosova qëndron në vendimin e vet për mbajtjen e zgjedhjeve, qytetarët e veriut do të shkojnë me votu në stacione policore. Duhet t’i bëjmë analizë kësaj situate. Nuk besoj se duhet të heshtim për këtë gjendje. Më mirë me pranu një çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër se një humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka propozuar që institucionet përgjegjëse të mos presin deri në ditën e fundit dhe të ballafaqohen me humbje të plotë.

Kujtojmë se data e caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve është 23 prill.