Haradinaj: Kosova sot pësoi nga pandemia, por edhe nga keqmenaxhimi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria në ikje, po zgjedh të vë në rrezik popullin duke refuzuar qasjen e jashtëzakonshme në këtë situatë pandemike.

Sipas tij, Kosova pësoi nga pandemia, duke përmendur viktimën e parë si shkak i virusit COVID-19. Haradinaj ka akuzuar institucionet se kjo ka ndodhur si shkak i keq menaxhimit.

“Sot me pikëllim mora lajmin për viktimën e parë të COVID-19! Kosova sot pësoi nga pandemia por edhe nga keq menaxhimi. Përderisa shtetet përgjegjëse marrin masa emergjente dhe trajtojnë problemin me seriozitet, Qeveria në ikje zgjedh ta vënë në rrezik popullin duke refuzuar qasjen e jashtëzakonshme të këtij problemi”.

“Lutjet e mia shkojnë për qytetarin që humbëm sot dhe familjen e tij. Përkrahja ime shkon për mjekët dhe personelin mjekësor që punojnë pa ndalë. Ju lus të gjithëve të jemi të mobilizuar ndaj kësaj pandemie. T’i dëgjojmë këshillat e ekspertëve mjekësorë dhe t’i përcjellim rekomandimet në përpikëri”.