Syla i reagon Abazit: Thatë të pavërteta dhe ofenduat minatorët

Ish-kryesuesi i Bordit të “Trepçës”, Ardian Syla, ka reaguar ndaj deklaratës së  zëvendëskryeministrit Haki Abaz, i cili mbrëmë në një studio televizive në Kosovë, ka thënë se “në horizontin  e njëmbëdhjetë  në “Trepçë”, vidhen dhe keqpërdorën xehet nga minatorët dhe djemtë e minatorëve.

Sipas Sylës, Abazi me këtë deklaratë përveç që ka thënë të pavërteta, ai gjithashtu ka ofenduar gjithë minatorët e “Trepçës”, dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

“Resurset minerale të Trepçës janë pasuria më e madhe që ka Republika e Kosovës. Ato hulumtohen, eksploatohen, përpunohen dhe shiten përmes procedurave të hapura dhe transparente të miratuara nga institucionet e vendit. Zëvendëskryeministri duhet ta pyes ministren e linjës për mënyrën e eksportit të resurseve minerale të plumb dhe zinkut. Për të eksportuar qoftë edhe një gram të këtyre resurseve duhet aprovim nga ministritë përkatëse si dhe njoftim të doganës të Kosovës. Vetëm me aprovim dhe miratim të institucioneve të vendit mund të bëhet eksporti i resurseve minerale”, ka shkruar Syla, i cili ka shtruar një sërë pyetjesh për Abazin.

Reagimi  i plotë i Sylës:

Zv. Kryeministri Haki Abazi e din se kush po e vjedh xehen në Trepçë!

Zv. Kryeministri në ikje paska deklaruar se xehet e Trepçës po vidhen dhe po keqpërdoren.

Zv. Kryeministri me këtë deklaratë të pa matur përveç që ka thënë të pavërteta, ai gjithashtu ka ofenduar gjithë punëtorët e ndërmarrjes Trepça dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Resurset minerale të Trepçës janë pasuria më e madhe që ka Republika e Kosovës. Ato hulumtohen, eksploatohen, përpunohen dhe shiten përmes procedurave të hapura dhe transparente të miratuara nga insitucionet e vendit.

Zv. Kryeministri duhet ta pyes ministren e linjes për mënyrën e eksportit të resurseve minerale të plumb dhe zinkut. Për të eksportuar qoftë edhe një gram të këtyre resurseve duhet aprovim nga ministritë përkatëse si dhe njoftim të doganës të Kosovës. Vetëm me aprovim dhe miratim të insitucioneve të vendit mund të bëhet eksporti i resurseve minerale.

Por, si duket zv. Kryeministri nuk i din këto procedura fare dhe lëshon deklarata të pa matura dhe pa vërteta!

Mirëpo, pasi që zv. Kryeministri ka deklaruar një gjë të tillë atëherë janë disa pyetje qe do duhej ti shtrohen lidhur me këtë deklaratë:

Kush po e vjedh xehen nga horizonti 11?

Si ka mundësi që të vidhet xehja?

Nga kush e morët këtë informatë?

A i keni njoftuar institucionet e rendit lidhur me vjedhjen e pretenduar nga ana juaj?

A keni ndërmarrë ndonjë veprim nga pozicioni juaj lidhur me këtë?

A e keni njoftuar ministren e linjës lidhur për këtë dukuri?..