Haradinaj për ngritjen e çmimeve: Vepro ose lësho rrugë Albin Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të veprojë kundër ngritjes enorme të çmimeve të produkteve bazike ose të dorëhiqet.

“Vepro ose lësho rrugë Albin Kurti. A je në tokë të bukës o Albin Kurti. Kush është ka ta saboton shtetin?! A po sheh se matrapazët po ta godasin popullin. Një litër vaj brenda natës po të shtrenjtohet gati dyfish!”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook.

“A je edhe ti pjesë e këtij skenari, apo je shndërruar në “komisar për moral”! Zgjohu o Kryeministër e kryeje detyrën që ta ka dhënë populli, ose lësho rrugë. A po e sheh se është ka soset durimi!”

Të enjten çmimi i një litre vaj të lulediellit në disa dyqane është shitur me çmimin 3.5 euro, përderisa vetëm një ditë më parë gjendej me çmim 2.3 euro.

Ndaj shtrentjimit të vajit ka reaguar edhe deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ish-ministër i Bujqësisë. 

“Vaji: pardje 1.59, dje 2.39 dhe sot 3.49. Në vend që të bëjnë zgjidhje, Qeveria bën hajgare ‘qojeni miellin në furra’ dhe ‘kjo është kostoja e lirisë’. Vajit çka me i bë, boss? Ku me qu?”, ka shkruar Mustafa.