Haradinaj: Spitali i Prishtinës do të ndërtohet në Kazermën e FSK-së

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka treguar për planin e tij për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Prishtinës ne Llukar në Kazermën e FSK-së.

“Kosova në tërësi i ka gjashtë spitale rajonale që shërbejnë për qytetarët e atyre rajoneve. Ndërsa Prishtina si kryeqytet me rreth gjysmë milioni banorë dhe 3 komunat përreth saj nuk e kanë një të tillë”, ka shkruar ai në Facebook.

Për këtë Haradinaj thotë së ka marrë opinione nga shumë ekspertë dhe njerëz që kanë mbajtur përgjegjësi nëpër institucione shëndetësore.

“Tri arsyet kryesore pse në Llukar:

  1. Prona është lehtësisht e shfrytëzueshme;
  2. Klima dhe ajri i pastër që ka ajo hapësirë, e që janë faktorë kyç për shëndetin e njeriut;
  3. Unaza e Qytetit që pritet të ndërtohet, është shumë afër dhe lehtësisht e çasshme, i cili projekt i financohet nga IBRD”, ka përfunduar ai.