Haxhiu: Armend Muja po i shkel 21 mijë nënshkrime të qytetarëve për Trustin

Projektligji për lejimin e tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti, pa mendim të Qeverisë iu është dërguar deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shqyrtuar para se të hidhet në votim.

E ky Projektligj para se të shkoj në seancë, duhet që të diskutohet në komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, brenda dy deri në katër javë.

Afati për trajtimin e këtij Projektligji në komision përfundon të enjten.

E për vonimin e sjelljes së tij në komision, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, për Front Online, tha se fajtor është kryetari i komisionit Armend Muja.

“Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, i ashtuquajturi deputet Muja, ai është duke e prolonguar qëllimisht kërkesën e qytetarëve për Trustin, ai është duke i shkelur mbi 21 mijë nënshkrime të qytetarëve të cilët e kanë ri iniciuar Projektligjin për Trustin”, tha Haxhiu.

Ndërsa i pyetur se çfarë do të ndodh pas datës 24 nëntor nëse nuk trajtohet në komision ky Projektligj, deputeti Haxhu tha se kryetari i komisionit Armend Muja duhet të përgjigjet publikisht për shkeljen e rregullores së Kuvendit.

“Rregullorja e parasheh që një Projektligj kur iu shpërndahet deputetëve duhet të trajtohet dy deri në katër javë. Me 24 bëhen katër javë pune që na u është shpërnda Projektligji dhe është data e fundit që do të duhet që sipas rregullores të trajtohet ky Projektligj.  Z. Muja duhet të përgjigjet publikisht pasi që shkelja e rregullores së Kuvendi është e barabartë me shkeljen e kushtetutës së Kosovës, shkelja e rregullores është më e rënd se sa të shkelet një ligji”, u shpreh ai

Se deputeti Armend Muja, është fajtor se Projektligji nuk po trajtohet në Komision e thotë edhe iniciuesi i këtij peticioni Adnan Jashari.

“Shqyrtimi i Projektligjit ne komision parlamentar po vonohet qëllimshëm sepse kryetar i komisionit për Buxhet, Pune dhe Transfere është deputeti i VV-se Armend Muja! Projektligji ka shkuar në duar të deputeteve si dokument, tash është koha të shqyrtohet në komision parlamentar”, deklaroi ai.

Jashari, tutje tha se nëse projektligji vonohet edhe më shumë, ata do t’i shkruajnë kryetarit të Kuvendit për t’i kërkuar sqarim.