Protesta në fabrikën më të madhe të iPhonet në botë

Protestat kanë shpërthyer në fabrikën më të madhe në botë të iPhonet në qytetin kinez Zhengzhou, raporton BBC.

Videot – të cilat nuk ka qenë në gjendje BBC t’i verifikojë – shfaqin qindra punonjës duke marshuar, e disa duke u konfrontuar edhe me policë të trazirave.

Muajin e kaluar rritja e rasteve me COVID ka shkaktuar mbylljen e kampusit, duke shtyrë disa punonjës që të shpërthejnë.

Kompania më pas rekrutoi punonjës të rinj me premtimin për shpërblime bujare.

Në pamjet që kanë qarkulluar online, shihen punonjësit duke bërtitur: “Mbroni të drejtat! Mbroni të drejtat!”

Ndërsa disa punëtorë tjerë janë parë duke thyer kamerat e vëzhgimit dhe xhamat.

Në disa video shihen punëtorët duke u ankuar për ushqimin, dhe thonë se nuk morën bonuset siç u ishin premtuar.

Një punonjës i Foxconn, që kohët e fundit kishte filluar të punonte në fabrikën në Zhengzhou, i ka thënë BBC-së se punonjësit po prtestojnë pasi Foxconn ka “ndryshuar kontratën që ka premtuar”.

Po ashtu ka thënë se punonjësit e sapo angazhuar kishin frikë se do të infektoheshin me COVID nga stafi që ishte atje nga vala e mëhershme.

“Ata punonjës që po protestojnë duan të marrin një subvencion dhe të kthehen në shtëpi”, tha punonjësi.

Ka pasur një dislokim të madh të policisë në fabrikë të mërkurën në mëngjes, ka treguar ai.

Foxconn nuk ka komentuar ende. Është nënkontraktori kryesor i Applet dhe fabrika e saj në Zhengzhou prodhon më tepër iPhone se kudo tjetër në botë.