Haxhiu: Janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të mërkurën në mbrëmje kanë kuptuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të mbajtur të enjten, ajo ka thënë se tre persona kanë pasur qasje në laborator. Nuk dihet saktë se kur mund të jenë marrë mbi 10 mostra nga laboratori.

“Mbrëmë jam informuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë. Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Ky institut dy epruveta me gjak ia ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, ka thënë ajo.

Bartja e epruvetave me mostra ka bërë të mundur që zyrtarët aty të vërejnë se disa prej tyre mungojnë. Haxhiu ka thënë se është shumë e vështirë të kuptohet se dikush nga jashtë i ka marrë ato mostra, për shkak të kompleksitetit të sistemit të dosjeve që gjenden në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Jam njoftuar nga udhëheqja e Departamentit të Laboratorit të toksikologjisë se dje kur kanë qenë duke i bartur mostrat nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, e kanë parë, janë bazuar në lëndët që i kanë pasur më të vjetra, 2014-2014-2016 janë marrë dosjet, rastet janë aty me kod, kur e kanë pa kodin dhe kanë shkuar në databazë, ka përkuar me rastin Dehari. Sot mu tha që dikush që nuk është brenda, është e vështirë të kuptohet ku janë dosjet sepse ruhet në mënyrë shumë profesionale, nuk është e lehtë të kuptohet bash dosja e kujt ku është. Mënyra si sistemohen ato është goxha komplekse me bë dikush jashtë pa ndihmën e personave zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore”.

E sipas informacioneve që ministrja ka marrë, mostrat nuk janë kontrolluar prej tetorit të vitit të kaluar, çka e bën të vështirë të definohet se kur mund të ishin marrë.

“Në pyetjen time se sa shpesh i kontrolloni dosjet, në momentin kur dosjet sistemohet vetëm kur ka kërkesa nga prokuroria, ata mund t’i shohin. Sipas informacioneve, që nga tetori 2021 nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat, sepse kështu e kanë sistemin. Tek dje kur e kanë bë bartjen e kanë kuptuar që mungojnë mostrat. Nuk dihet kur. Nuk ka thyerje të derës. Dikush nga zyrtarët përgjegjës janë përgjegjës të këtij akti”.

Haxhiu ka thënë se kjo situatë e rëndë vë hije dyshimi mbi të gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore. Dhe nëse ndiqet protokolli, ajo ka thënë se do të jetë e thjeshtë që të gjenden përgjegjësit.

“Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt, dhe nëse ndiqet, kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë as nuk zmbrapsen nga protokolli e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale. Këtë guxim mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari”.

“Autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht, s’ka dyshim e as kompromis”.

Haxhiu ka thënë se i di emrat e personave që kanë pasur qasje në laborator dhe se me ta po merren organet e drejtësisë, ndërkohë shtoi që veprime priten edhe nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

“Unë i di emrat e personave që kanë qasje në këtë institucion, por nuk mund t’i them sepse të njëjtit i di edhe policia e prokuroria. Sa i përket masave, na takon të ndërmarrim masa disiplinore ndaj personave përgjegjës. Komisioni disiplinor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka marrë kërkesë për adresim të veprimeve, sot të përfundojë puna në suspendimin sepse legjislacioni nuk lejon menjëherë shkarkimin. Në përputhje me kompetencat e mia, do t’i ndërmarr masat”.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Teksa Prokuroria atë kohë pati thënë se është vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar se bëhet fjalë për vrasje.