Hotelierët me 10 kërkesa për Qeverinë

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës i është drejtuar Kryeministrisë me disa kërkesa.

Kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës Hysen Sogojeva, bashkë me drejtorët e departamenteve të estradës dhe të sallave të dasmave Afrim Muqici dhe Driton Hoti, si dhe me drejtorin ekzekutiv Visar Demolli, pas presioneve të shumta për takim me kryeministrinë dhe ministrinë e Shëndetësisë, sot kanë mbajtur takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi si dhe U.D e Ministrisë së Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku.

Oda e Hotelierëve ka kërkuar zgjatjen e orarit të punës për të gjitha kategoritë deri në ora 01:00 pasmesnate, lejimi i punës për sallat e dasmave dhe klubet, sipas manualit të IKSHPK-së, të hiqet ora policore, të zgjatet afati për uljen e TVSH% nga 18% në 8% të paktën edhe për 5 vitet e ardhshme, të fillojnë organizimet e ahengjeve në bazë të manualit, të bëhet përkrahja financiare ndaj bizneseve, të bëhet subvencionimi i pagave të punëtorëve, të mbulohen shpenzimet e qirave për bizneset nga viti 2020-2021 që kanë punuar pjesshëm, të bëhet kompensimi i bizneseve që nuk kanë punuar fare gjatë kësaj kohe, dhe për të hyrë në lokale t’u kërkohet certifikata e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19, testi RT-PCR negativ për COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmia se personi ka kaluar COVID-19 në të kundërtën inspektoriati të merret me atë biznes.

“Përfaqësuesit tanë përveç kërkesave që patën, u zotuan para kryeministrisë se nëse gjendet një alternativë që çdo biznes hoteliero/turistik të punojë njësoj pa u standardizuar, atëherë do të zotohen që do t’u bëjnë thirrje çdo pronari të biznesit e në veçanti pronarëve të sallave të ahengjeve të ndryshme për t’u kërkuar që në rast se duan të hapen dhe të punojnë do t’i respektojnë çdo masë e cila do të dalë nga qeveria e Kosovës, në të kundërtën do ta pësojë jo vetëm me dënim por edhe me mbyllje për një kohë të caktuar”, thuhet në njoftim.

Pas këtij zotimi Bislimi ka thënë se është i gatshëm që këto kërkesa t’i drejtojë tek këshilli ndërministror në mënyrë që të shqyrtohet mundësia për akomodimin e këtyre zotimeve nga OHTK.

“Ne mbesim në pritje të një përgjigje sa më të shpejtë, dhe shpresojmë në lajmin që edhe për sektorët e kufizuar deri më tani të ketë alternativë pune ashtu siç ka për të tjerët që veçëse e kanë filluar punën”, thuhet në njoftim.