Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se angazhimi i tij politik është që Kujtim Shala të jetë kryetar i LDK-së, ndërsa Hykmete Bajrami të kandidojë për kryeministre në zgjedhjet e ardhshme.
Duke folur në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Hoti tha se kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duhet të largohet nga drejtimi i partisë, por jo edhe nga LDK-ja.
Sipas tij, kombinimi i Shalës në krye të partisë dhe Bajramit si kandidate për kryeministre do ta bënte LDK-në më të bashkuar dhe më të fuqishme politikisht.
Hoti ka vlerësuar se me këto dy figura, LDK-ja do të mund të rikthehej e bashkuar në të gjitha komunat e Kosovës dhe të hynte më e konsoliduar në zgjedhjet e ardhshme.
Deklarata e Hotit vjen në një kohë kur LDK-ja po përballet me përçarje të brendshme rreth drejtimit të partisë dhe qëndrimeve për zhvillimet politike në vend.