IKD: Vendimet e Qeverisë në detyrë ngrisin dyshime për përgjegjësi penale

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pas mbledhjes së Qeverisë në detyrë të mbajtur më 7 tetor, disa ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke vlerësuar se vendimet e miratuara janë të kundërligjshme dhe ngrisin dyshime për përgjegjësi penale.

Në mesin e vendimeve të marra ishin shtimi i një mase në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike për Bursën e Mobilitetit për Studentë, me një kosto prej 20 milionë euro, ndarja e një shume prej 100 eurosh për studentët, që kap vlerën rreth 6 milionë euro, ndarja e 1 milion eurove për kuponë ushqimi për familjet në nevojë, shqyrtimi i kërkesës për shpronësim të pronave për projektin e kyçjes së Vitisë në Autostradën “Arbër Xhaferi”, me vlerë rreth 3 milionë euro, si dhe miratimi i Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike.

IKD thekson se ndonëse ofrimi i ndihmës financiare për grupet e ndjeshme është i rëndësishëm, çdo vendim qeveritar duhet të jetë i bazuar në ligj dhe në respektim të procedurave ligjore. Instituti kujton një aktgjykim të Gjykatës Supreme, sipas të cilit një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe të ministrit. Në këtë kuadër, sipas IKD-së, vendimet e nënshkruara nga persona që ushtrojnë të dy funksionet janë të paligjshme.

Tutje, IKD vlerëson se vendimmarrja e një qeverie në detyrë kufizohet vetëm në aktivitete të domosdoshme dhe të parapara me planin vjetor të punës dhe ligjin vjetor për buxhetin, gjë që nuk është respektuar në rastin konkret. Për më tepër, sipas këtij institucioni, fakti që vendimet janë marrë vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale, ngre dyshime për keqpërdorim të detyrës dhe fondeve publike për qëllime elektorale, veprime të cilat janë të sanksionuara penalisht.

Në reagim përmendet edhe neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku përcaktohet se zyrtarët që tejkalojnë kompetencat e tyre për përfitime personale apo partiake, apo që shkelin të drejtat e personave të tjerë, mund të dënohen me burgim prej një deri në tetë vjet.

Duke i cilësuar vendimet e djeshme si tejkalim të autorizimeve ligjore dhe si shkelje të procedurave, IKD ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të trajtojë këto dyshime dhe të ndërmarrë veprime në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë e saj ligjore.