Infektologu Ramadani: Gabim profesional dhënia e vaksinës antiCOVID-19 pa test paraprak

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovës ka filluar javën e kaluar me personelin shëndetësor, ndërsa nga sot vaksinimi antiCOVID-19 ka filluar edhe personat mbi 85 vjeç, për të vazhduar më pas edhe me grup-moshat tjera. 

Mirëpo, vaksinat janë duke iu dhënë qytetarëve pa iu bërë testi për COVID-19 dhe pa verifikuar nëse kanë apo jo imunitet që ta përballojnë këtë vaksinë.

Këtë shqetësim e ngriti infektologu, Hamdi Ramadani në një prononcim për Telegrafin, i cili tha se është problem dhënia e vaksinës në këtë mënyrë pasi paraqet rrezik për shëndetin e atyre personave.

Ramadani theksoi se dhënia e vaksinës pa teste paraprake COVID-19, personave të caktuar mund t’ju shkaktojë komplikime shëndetësore.

Ai po ashtu u shpreh se mos bërja e testeve paraprake te personat që marrin vaksinat antiCOVID-19 nga ana e personelit shëndetësor është gabim profesional.

“Mendoj që kjo është një gabim profesional, pasi paraprakisht çdo person që bën vaksinë duhet të testohet për antigjen COVID dhe për imunitetin e tij. Ai që është pozitiv me COVID nuk guxon me marr, pasi rreziku është shumë i madh. Është rrezik pasi futen dy viruse paralel. Askujt s’duhet t’i japin vaksina antiCOVID nëse nuk bëhen testime paraprake në këtë drejtim. Ata që e bartin virusin nuk kanë shenja dhe simptoma dhe nëse e marrin edhe vaksinën ka rrezik shumë të madh”, tha infektologu Ramadani

Ndërsa, i pyetur se a lejohen gratë shtatzëna që ta marrin vaksinën antiCOVID-19, ai tha: “Nuk i kanë përjashtuar nga programi gratë shtatzënë. Shumë vaksina kanë edhe ndryshim nga njëra dhe tjetra. Kjo AstraZeneca nuk iu ka rekomanduar moshës më pak se 65 vjeç, e tash po thonë që duhet të merret, d.m.th. ka lëvizje të vazhdueshme në kuptimin se ku duhet të jepet. Nuk është përjashtuar mundësia e dhënies së vaksinës tek gratë shtatzëna. Tek rastet e shtatzënive është mirë një konsultim te gjinekologu para se ta marrin vaksinën”.

Ndryshe, sot ka filluar vaksinimi i personave të moshuar mbi 85 vjeç në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunat e Kosovës, ndërsa nga 11 prilli pritet që të fillojë vaksinimi antiCOVID-19 edhe i grup-moshave nga 80-84 vjeç.