iOS 17 përmbush “kërkesat më të mëdha” të fansave të iPhoneit

Janë bërë disa muaj që kur kanë nisur raportimet se sistemi i ri operativ i Appleit për telefona, iOS, do të fokusohet, si të gjithë të tjerët, në përmirësime të performancës e rregullime të gabimeve. Megjithatë, një raportim i ri ka nxjerrë në pah se s’bëhet fjalë vetëm për këtë. iOS 17 mund të jetë lansimi më interesant ndër vite.

Sipas Mark Gurmanit, raportues për Applein në “Bloomberg”, gjiganti amerikan ka planifikuar që sistemi i ri të përmbushë disa prej kërkesave kryesore të përdoruesve të iPhoneit.

Përderisa s’ka dhënë detaje se çfarë ndryshime do të sjellë sistemi i ri, Gurmani ka thënë se bëhet fjalë për “veçoritë më të kërkuara” të fansave të iPhoneit. Nuk është e vështirë të definohen kërkesat e shumta të përdoruesve ndër vite – si përdorimi nëpërmjet disa llogarive, dizajnimi i ikonave, ‘multitasking’, ndarje të kontrolluesve të volumit për materiale (video) nga zëri i thirrjeve.

Si zakonisht sistemi i ri lansohet gjatë vjeshtës.