Ismet Beqiri nuk do të garojë për deputet

Nënkryetari i LDK-së Ismet Beqiri ka vendosur të mos jetë pjesë e garës për deputetë.

Beqiri ka njoftuar përmes një shënimi në Facebook se vendimin e ka marrë me vullnetin e tij të plotë për t’iu hapur rrugë gjeneratave të reja.

Beqiri ka qenë deputet i LDK-së në 6 legjislatura, si dhe kryetar i Prishtinës për një mandat.

“Shihemi shpejt edhe në proceset tjera zgjedhor”, ka thënë për fund Beqiri i cili edhe më parë ka shprehur ambicien për të garuar për kryetar të Prishtinës.

Postimi i plotë i Ismet Beqirit

Të dashur qytetarë,

Anëtar dhe veprimtarë të LDK-së,

Me 14 shkurt do ti kemi zgjedhjet nacionale.

1 mandat Kryetar i Komunës së Prishtinës dhe

6 legjislatura Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kam marrë besimin e qytetarëve për të përfaqësuar zërin e tyre dhe me gjithë qenien time jam munduar që të bëhem reflektim i punës së mirë, që më është besuar për vite me radhë.

Me dëshirën dhe vullnetin tim të plotë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës zgjedhore në këto zgjedhje, duke liruar hapësirë për kandidatë tjerë nga Dega ime e pamposhtur, që të jenë kandidatë, pse jo edhe Deputet të ardhshëm.

Për këtë kam marrë edhe pëlqimin e Degës time, në mbledhjen e mbajtur mbrëmë.

Si çdo herë do të jem, në krye të Degës që i qëndroi përherë besnik LDK-së, për të dalur fitues edhe nga këto zgjedhje.

Kontributi im si Nënkryetar i LDK-së dhe Kryetar i një prej Degëve më të fuqishme në Kosovë, do të jetë maksimal për suksesin tonë në këto zgjedhje.

Me punë e përkushtim, drejt fitores së radhës.

I falenderoj votuesit e mi besnik që për më shumë se 20 vite më dhanë besimin e tyre, të cilin me punë të ndershme nuk ua kam keqpërdorur asnjëherë. Dëshmia më e mirë është përkrahja juaj mbi 2 dekada.

Shihemi shpejt edhe në proceset tjera zgjedhore.

Fundi i një rrugëtimi nënkupton fillimin e një rrugëtimi të ri.

Përjetë me LDK-në.

I juaji,

Ismet Beqiri