Izmaku: Sondazhet ia lëmë VV-së, fitorja është e PDK-ja

E bindur në fitore në zgjedhjet e 14 shkurtit është shprehur kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për deputete Xhevahire Izmaku, edhe pse të gjitha sondazhet e kanë nxjerrë Vetëvendosjen fituese.

Sipas saj, të gjitha këto sondazhe kanë qenë të fabrikuara. Ajo ka thënë se VV-ja ka shpallur fitoren “ende pa hy në lojë”.

“Ne po presim që më 14 shkurt të kurorëzojmë një fitore të madhe të PDK-së, duke përmbysur edhe rezultatet e sondazheve të fabrikuara që i paraqesin subjektet politike që e shpallin fitoren ende pa hy në zgjedhje dhe flasin në emër të qytetarëve, kur ende ai s’e ka vu votën në kuti. Më duket se ishte shkelje e etikës sepse vetëm qytetari e di ku do ta vendosë votën. S’mundet asnjë lider politik t’ia caktojë. PDK-ja kurrë s’e ka shpall zgjedhjen ende pa hy në lojë. Asnjëherë s’ka ndodh… Jam doktor shkence në fushat e komunikimit dhe e di si ndërtohen këto platforma. Janë industri që munden me u financu dhe kush dëshiron mundet me e bë. Po ua lëmë sondazhet atyre, por fitoren do ta marrim. Kjo po duket. Ka një frymë dhe këtë frymë e kam pa qe 20 vjet me radhë dhe e ndjej kur PDK-ja vendos ta sjellë fitoren. Do të jetë mirë edhe për shtetin. U pa që pa PDK-në kanë mbet shumë projekte në gjysmë”, ka thënë ajo në Interaktiv.