Janë numëruar mbi 19% e votave, këta janë pesë kandidatët më të votuar në secilën parti

Procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës po vazhdon në të gjithë vendin, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet e përditësuara nga qendrat komunale të numërimit.

Sipas të dhënave të fundit, janë numëruar 19.46 për qind e votave për kandidatët, duke ofruar një pasqyrë të parë të mbështetjes që kanë marrë figurat kryesore politike në zgjedhjet e 7 qershorit, raporton Gazeta Stop.

Në bazë të rezultateve aktuale, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, vazhdon të jetë kandidati më i votuar në nivel vendi me 41,629 vota.

Pas tij renditet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, me 20,228 vota, ndërsa në vendin e tretë është Vjosa Osmani, bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, me 13,537 vota.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka grumbulluar deri tani 12,255 vota, ndërsa pesëshen e kandidatëve më të votuar e përmbyll Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,506 vota.

Pesë kandidatët më të votuar deri tani:

  1. Albin Kurti (LVV) – 41,629 vota
  2. Bedri Hamza (PDK) – 20,228 vota
  3. Vjosa Osmani (LDK) – 13,537 vota
  4. Lumir Abdixhiku (LDK) – 12,255 vota
  5. Ardian Gjini (AAK) – 7,506 vota

Megjithatë, këto rezultate mbeten preliminare, pasi mbi 80 për qind e votave ende nuk janë numëruar. Renditja e kandidatëve pritet të pësojë ndryshime me vazhdimin e procesit, veçanërisht në komunat e mëdha dhe pas përfshirjes së të gjitha votave të vlefshme.

Votat preferenciale janë vendimtare për përcaktimin e deputetëve që do të përfaqësojnë qytetarët në legjislaturën e ardhshme, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen e kandidatëve brenda listave zgjedhore të partive politike.

Te Lëvizja Vetëvendosje janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Hekuran Murati si dhe Donika Gërvalla.

Te Partia Demokratike e Kosovës listën e kryeson: Bedri Hamza, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Uran Ismaili, Sala Jashari.

Te Lidhja Demokratike e Kosovës janë: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti.

Te Aleanca po kryesojnë: Ardian Gjini, Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Besnik Tahiri si dhe Bekë Berisha.