Kabineti “Kurti 3” me rekord ministrish – 19 ministri, katër më shumë se në Qeverinë e kaluar

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka prezantuar sot në Kuvendin e Kosovës përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, të njohur si Qeveria “Kurti 3”, e cila do të ketë 19 ministri dhe tre zëvendëskryeministra.
Krahasuar me kabinetin e kaluar, Qeverinë “Kurti 2”, që kishte gjithsej 15 ministri, struktura e re paraqet një rritje prej katër dikasteresh të reja, duke u konsideruar si qeveria më e gjerë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Kurti tha se zgjerimi i kabinetit synon të krijojë “më shumë efikasitet, ndarje të qartë përgjegjësish dhe një përfaqësim më të balancuar sektorial”.
Megjithatë, pavarësisht këtij konfigurimi të ri, Qeveria e propozuar nuk mori besimin e Kuvendit, duke siguruar vetëm 56 vota për, 52 kundër dhe 4 abstenime, shumë më pak se shumica e nevojshme prej 61 votash.

Në kabinetin e propozuar nga Kurti përfshihen tre zëvendëskryeministra dhe 16 ministra me portofol, si dhe dy ministra pa portofol të drejtpërdrejtë ekzekutiv.
Përbërja e plotë e kabinetit është si vijon:

  1. Glauk Konjufca – Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës
  2. Donika Gërvalla – Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë
  3. Fikrim Damka – Zëvendëskryeministër për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim Ndërkomunitar
  4. Hekuran Murati – Ministër i Financave dhe Ekonomisë
  5. Andin Hoti – Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale
  6. Ejup Maqedonci – Ministër i Mbrojtjes
  7. Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme
  8. Lulëzon Jagxhiu – Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit
  9. Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë
  10. Avni Zogiani – Ministër i Arsimit dhe Shkencës
  11. Fatmir Spahiu – Ministër i Kulturës dhe Turizmit
  12. Blerim Gashani – Ministër i Sportit dhe Rinisë
  13. Rasim Demiri – Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal
  14. Fitore Pacolli – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
  15. Armend Muja – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
  16. Dimal Basha – Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit
  17. Mimoza Kusari-Lila – Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane
  18. Artane Rizvanolli – Ministre e Energjisë dhe Minierave
  19. Nenad Rashiq – Ministër për Komunitete dhe Kthim
  20. Sejnur Veshall – Ministër për Zhvillim Rajonal

Megjithëse në strukturë figurojnë 19 ministri, përfshirja e një numri të lartë zëvendëskryeministrash dhe ndarja e disa dikastereve ekzistuese ka ngritur debat politik për rritjen e kostos së qeverisjes dhe përshtatjen e posteve për balanca politike dhe partneritete të reja.

Në anën tjetër, përkrahësit e Kurtit thonë se zgjerimi është i nevojshëm për shkak të ristrukturimit institucional dhe fokusimit në sektorë strategjikë si energjia, digjitalizimi, familja dhe mirëqenia sociale.

Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm politik, pasi dështimi i Qeverisë “Kurti 3” për të marrë shumicën e nevojshme në Kuvend hap rrugën për hapat e radhës kushtetuese, përfshirë mundësinë e mandatimit të një kandidati të dytë ose shpalljes së zgjedhjeve të reja, nëse edhe tentativa e dytë dështon.