Kafeja zvogëlon rrezikun e problemeve me zemër dhe vdekjes së hershme

Pirja e dy deri në tre filxhanë në ditë të shumicës së llojeve të kafesë mund t’ju mbrojë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe vdekja e hershme, zbuloi një studim i ri.

“Rezultatet sugjerojnë se konsumimi i butë deri në mesatar i kafesë së bluar, të çastit dhe pa kafeinë duhet të konsiderohet pjesë e një stili jetese të shëndetshëm”, tha autori i studimit Peter Kistler, kreu i kërkimit klinik të elektrofiziologjisë në Institutin Baker Heart and Diabetes, raportoi CNN-ja të premten.

Studiuesit gjetën “ulje të konsiderueshme” në rrezikun e sëmundjeve koronare të zemrës, dështimit kongjestiv të zemrës dhe goditjes në tru për të tre llojet e kafesë. Megjithatë, vetëm kafeja e bluar dhe e çastit me kafeinë zvogëlon rrezikun për një rrahje të parregullt të zemrës të quajtur, aritmi. Kafeja pa kafeinë nuk e ul këtë rrezik, sipas studimit të botuar të mërkurën në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese.

Studimet e mëparshme kanë gjetur gjithashtu se sasitë e moderuara të kafesë së zezë – midis 3 dhe 5 filxhanëve në ditë, kanë treguar se ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, si dhe Alzheimerit, Parkinsonit, diabetit të tipit 2, sëmundjes së mëlçisë dhe kancerit të prostatës.

Megjithatë, ky studim, si shumë në të kaluarën, ishte vetëm vëzhgues në natyrë dhe për këtë arsye nuk mund të provojë një shkak dhe pasojë të drejtpërdrejtë, ka thënë studiuesi Mills, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.