Karantinim për të gjithë, ose pasoja të papara

Visar Kastrati

Se Kosova po kalon në situatë të vështirë ekonomike dhe politike është e qartë dhe është diçka që vazhdimisht na prekë të gjithëve. Situata e shkaktuar nga COVID 19 e ka rënduar në masë të madhe shëndetin, mirëqenien si dhe ekonominë e vendit, duke përfshirë ekonomitë familjare, të bizneseve dhe vetë arkën e shtetit, aq më shumë, që Kosova varet nga tatimet dhe jo nga prodhimi, si dhe bizneset varen nga kreditë dhe operojnë në baza mujore dhe në profite mujore. Qytetarët janë në detyrime pothuajse mbi 90% në banka.

Nuk do analizë se Kosova ka kapacitete të ulëta shëndetësore për t’u ballafaquar me një virus të tillë, i cili ka prekur të gjitha vendet e botës dhe ka shkaktuar pasoja edhe tek vendet që kanë një mjekësi të zhvilluar siç janë  Gjermani, Italia dhe vende të tjera.

Nga pas lufta në Kosovë jemi përballur  me mungesën e barnave esenciale dhe kjo e jep një përgjigje që do të ketë mungesë esenciale në trajtimin e këtij virusi dhe duhet masa radikale nga shteti, për parandalim të virusit deri sa nuk është vonë për të gjithë.

Qeveria duhet menjëherë të ndërmerr masën e karantimit të vendit për të gjithë, për 3 deri në 4 javë duke u reduktuar vetëm në lëvizjen e ushtrisë, policisë dhe personelit mjekësor. Ushqimi për familje, sidomos në ato në nevojë, të organizohet në secilin qytet përmes tendave (ushqimet esenciale). Kjo është e vetmja masë që e parandalon përhapjen e virusit COVID 19. Nëse vazhdohet me masa parciale, si karantimi i qyteteve ku ka të infektuar, kjo nuk jep rezultate të mëdha, pasi vendi është i vogël dhe kontakti me njëri tjetrin është i pashmangshëm dhe lëvizjet nga vendet në karantinim nuk mund të bllokohen në tërësi, pasi ka hyrje dhe dalje të shumta. Pavarësisht karantimit të qyteteve ku ka të infektuar, njerëzit kanë gjetur rrugë për të lëvizur në qytetet tjera, gjë që mund të sjellë pasoja edhe në vendet tjera. Prandaj nevojiten masa drastike, karantim i gjithë vendit.

Qytetarët kanë shfrytëzuar këtë periudhë për blerjen e produkteve esenciale dhe duhet të lihet një afat shtesë prej 24h për blerje nga qytetarët dhe vendi të shkon në karantinim, përndryshe do të bëhet  vonë për të parandaluar përhapjen e virusit. 

Uniteti duhet në këto momente, i politikës dhe i popullit, për t’u kujdesur që ky virus mos të përhapet pasi Kosova nuk do të mund ta përballojë, me kushtet mjekësore që i posedon. Një lëvdatë për të gjithë personelin mjekësor, që po rrezikojnë shëndetin dhe jetën për t’i dal në ndihmë qytetarëve, përkundër kushteve të vështira të punës.

Krahas masës për karantim të vendit, duhet që shteti më qartë dhe më saktë të pezulloj kreditë, kamatat dhe pagesat tatimore dhe ato komunale, dhe të njëjtat ti inkasoj në % të caktuar pas kalimit të situatës dhe jo si shumë në tërësi.

Po ashtu, tatimet dhe pagesat komunale duhet të lirohen në tërësi për këtë periudhë dhe deri sa të zgjatët situata, që qytetarët dhe bizneset ta kenë më të lehtë rimëkëmbjen ekonomike. Ndërsa qiratë duhet të shtyhen dhe të inkasohen në % të caktuar pas kalimit të situatës, duhet një bashkim i qytetarëve kundër virusit.

Me këto masa të paqarta po u jepet hapësirë bankave dhe institucioneve përkatëse që pezullimi i pagesa të bëhet sipas mënyrës që atyre ju konvenon dhe jo për të siguruar lehtësira për qytetarët.