Kërcënim për një sulm në një nga spitalet e Kosovës, vjen njoftimi i policisë

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës është duke siguruar rreptë oborrin e QKUK-së, pas një kërcënimi për sulm që ka marrë sot Policia e Kosovës.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. 

Ai ka thënë se situata është e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve.

“Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarr masat parandaluese dhe të sigurisë, pas sigurimit të një informate që ndërlidhet me kanosje, përderisa janë ndërmarrë të gjitha masat policore, situata vlerësohet e qetë dhe nuk ka vend për asnjë shqetësim nga ana e qytetarëve. Krye e formularit”, ka thënë Kelani.

Tutje, Kelani ka bërë të ditur se janë marrur të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim me institucionet kompetente. 

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe trajton ç’do informacion apo rast të raportuar, të ç’farëdo natyre apo vepre penale. Të gjitha veprimet e nevojshme i ndërmerr konform autorizimeve ligjore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, me qëllim të ofrimit të sigurisë, parandalimit të veprimtarive kriminale si dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në vend“, ka thënë Kelani. 

Ndryshe përpos Prishtinës, masa të rrepta po zbatohen edhe në veri të Mitrovicës, ku që nga mëngjesi i sotëm, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë duke bërë kontrolle të rrepta për automjetet që hyjnë në zonën e Qendrës Spitalore në Mitrovicën e Veriut.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Besim Hoti, ka thënë për portalin serb në Kosovë, “Kosovo Online” se pjesëtarët e Policisë janë mobilizuar në gjithë Kosovën për t’i siguruar spitalet.

Policia u kontaktua nga një person i cili kërcënoi të sulmonte dikë në spital, por pasi që ky person nuk tregoi se kush ishte dhe në cilin qytet do të kryente sulmin, Policia, për arsye parandaluese, po siguron spitalet në të gjithë Kosovën derisa të zbulojmë më shumë informacion”, tha Hoti.