Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, të premten, në orën 11:00, në mbledhjen e parë të këtij organi në kuadër të Legjislaturës së 11-të.
Mbledhja është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ndërsa në të pritet të marrin pjesë nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare.
Në rend dite pritet të jenë disa çështje që lidhen me funksionalizimin e Kuvendit, përfshirë propozimin për formimin e komisioneve parlamentare dhe shqyrtimin e Raportit të shpenzimeve të Kuvendit për vitin 2025.
Mbledhja e Kryesisë po zhvillohet rreth dy javë pas konstituimit të Kuvendit. Legjislatura e 11-të u shpall e konstituuar më 13 shtator, pasi u zgjodhën kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarët nga radhët e LDK-së, komunitetit serb dhe komuniteteve joshumicë joserbe.
Megjithatë, posti i nënkryetarit që i takon PDK-së mbeti i paplotësuar. PDK-ja kishte bojkotuar vazhdimin e seancës konstituive dhe kishte tërhequr përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për këtë pozitë, duke paralajmëruar se çështjen do ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese.
Pikërisht çështja e mënyrës dhe afatit të konstituimit të Kuvendit u bë pjesë e shqyrtimit të Gjykatës Kushtetuese pas kërkesës së PDK-së.
Më 23 shtator, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Kuvendi ishte konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh. Në të njëjtën kohë, Gjykata konstatoi se formimi i Qeverisë nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe kërkoi që të vazhdohet me procedurën për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga PDK-ja.
Një ditë pas publikimit të vendimit të Kushtetueses, Kuvendi njoftoi për mbledhjen e Kryesisë, e cila do të shërbejë edhe si hap për funksionalizimin e mëtejshëm të legjislaturës së re.
Sipas rregullave të Kuvendit, Kryesia ka rol në përgatitjen e rendit të ditës së seancave plenare dhe në organizimin e punës së Kuvendit.
Mbledhja e sotme pritet të përcaktojë edhe hapat e mëtejmë për punën e Kuvendit dhe vazhdimin e aktivitetit parlamentar në legjislaturën e 11-të.