Kërkohet zbardhja e vrasjes së Qerim Kelmendit


Për vrasjen e Qerim Kelmendit ka reaguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka kërkuar nga institucionet relevante që vrasja të zbardhet menjëherë, dhe u ka bërë thirrje që kryerësit të vendosën para drejtësisë.

“Vrasja tinëzare e Qerim Kelmendit, njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte tronditëse për mua dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. I bëj thirrje urgjente institucioneve të rendit dhe ligjit, që ta zbardhin këtë vrasje të tmerrshme sa më shpejtë që është e mundur dhe kryesit e saj të vendosën para drejtësisë. Familjes Kelmendi dhe gjithë bashkëluftëtarëve të Qerimit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke i siguruar se do t’i përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë të shtetit për ta zbardhur këtë vrasje mizore!”, ka shkruar Thaçi.

Në një konferencë për media, Policia e Kosovës tha se është duke e hetuar rastin dhe po presin raportin e Mjekësisë Ligjore për ta identifikuar dhe konfirmuar viktimën.

Reagim për vrasjen e Qerim Kelmendit, ka pasur edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Ai ka kërkuar nga organet e drejtësisë që ky rast të zbardhet sa më shpejtë.

“Sot me pikëllim morëm lajmin për vrasjen e bashkëluftëtarit të orëve të hershme të UÇK-së Qerim Kelmendi. Familjes dhe bashkëluftëtarëve u shprehi ngushëllimet e sinqerta. Iu bëj thirrje organeve të drejtësisë që sa më shpejtë të zbardhin rastin”, shkruan Haradinaj.

Ashpër ka reaguar edhe Organizata e Veteranëve të UÇK-së në lidhje me vrasjen e Qerim Kelmendit, trupi i të cilit u gjet në një veturë të djegur.

“Vrasja e bashkëluftëtarit tonë është një lajm shumë i dhimbshëm për ne. Kërkojmë nga organet e drejtësisë, që sa më shpejt ta zbulojnë këtë krim dhe përgjegjësit të marrin dënimin e merituar”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.

Sipas organizatës, “kur vriten luftëtarët e lirë në kohë paqe e në mënyrë makabre, vritet liria”. “U shprehim ngushëllime familjes dhe shokëve të të ndjerit Qerim Kelmendi”, thuhet në reagim.

Ibrahim Kelmendi, vëllai i të vrarit në Pejë, Qerim Kelmendit, ka reaguar të enjten.

Ibrahim Kelmendi është anëtar i ish-Lëvizjes Popullore të Kosovës. Përmes llogarisë së tij në Facebook, ai ka postuar një fotografi të të vëllait të tij, tashmë të ndjerë, me përshkrimin: “Festoni rugovistë ‘pacifistë’… Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin, qelbësira shqipfolëse!”, raporton Koha.net, duke e konfirmuar në esencë se trupi i pajetë i gjetur është i Qerim Kelmendit.

Emri i Qerim Kelmendit, trupi i pajetë i të cilit është gjetur i djegur brenda një veture të shkrumbuar, është përfolur lidhur me vrasjes e pasluftës në Kosovë./GazetaStop/