Këta janë zëvendësministrat e emëruar deri tani nga Kurti

Kryeministri Albin Kurti më 13 shkurt ka nisur emërimin e zëvendësministrave të rinj. Nga ajo datë e deri më sot janë emëruar gjashtë zëvendësministra, shkruan Reporteri.net.

Zëvendësministrat e parë që u emëruan më 13 shkur janë Daulina Osmani si zëvendësministre e Sportit dhe Rinisë dhe Zef Morina si zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Transportit.

Osmani ishte zëvendësministre edhe në mandatin e shkuar. Por tani, Sporti dhe Rinia janë ndarë nga Ministria e Kulturës. Ministrinë e Sportit tani e udhëheq Blerim Gashani.

Ndërkaq Morina që nuk arriti të bëhej deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje do të jetë zëvendësministër i Dimal Bashës.

Po, më 13 shkurt zëvendësministër u emërua edhe Kreshnik Ahmeti në Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë mandat qeverisës drejtohet nga Glauk Konjufca.

Ahmeti e ka mbajtur këtë pozitë edhe përgjatë mandatit të kaluar.

Kurti më 18 shkurt ka emëruar Arsim Berishën në pozitën e zëvendësministrit të Shëndetësisë.

Berisha këtë detyrë e ka ushtruar edhe gjatë mandatit të kaluar, duke vijuar kështu angazhimin e tij në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

Me rastin e emërimit, Kryeministri Kurti e ka uruar Dr. Berishën për detyrën e re dhe i ka dëshiruar suksese në përmbushjen e përgjegjësive të tij në shërbim të qytetarëve dhe të sistemit shëndetësor të vendit.

Kurse, më 20 shkurt, Nora Arapi Krasniqi u emërua në pozitën e zëvendësministres së parë të Kulturës dhe Turizmit.

Kurti i ka uruar Krasniqit suksese në përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Ajo ka shërbyer si Këshilltare e Lartë e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekut, në mandatin e kaluar.

“Nora Arapi Krasniqi është arkitekte dhe specialiste e konservimit të trashëgimisë kulturore me mbi 15 vjet përvojë profesionale në ruajtjen dhe rijetësimin e monumenteve kulturore, me fokus në integrimin e konservimit në zhvillim të qëndrueshëm urban dhe inovacionin kulturor. Gjatë mandatit të kaluar, znj. Arapi Krasniqi ka shërbyer si Këshilltare e Lartë e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me rol kyç në hartimin e politikave kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm dhe menaxhim të trashëgimisë kulturore”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Po më 20 shkurt, Kurti e emëroi edhe një zëvendësministër.

Ish-shefi i kabinetit të Albulena Haxhiut sa ishte Ministre e Drejtësisë, Genc Nimoni, është emëruar zëvëndësministër në Ministrinë e Drejtësisë, që tash do ta drejtojë Donika Gërvalla.

Kurti i ka uruar suksese atij në përmbushjen e përgjegjësive.

“Gjatë mandatit të kaluar, z. Nimoni ka shërbyer si Shefi i Kabinetit të ministres së Drejtësisë. Kryeministri Kurti e uroi z. Nimoni për detyrën dhe i dëshiroi suksese në përmbushjen e përgjegjësive e tij”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Qeveria Kurti 3, do t’i ketë 19 ministri, për dallim nga Kurti 2 që i kishe 15