Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka filluar mandatin e ri qeverisës, duke mashtruar të gjithë zyrtarët publik që paguhen përmes buxhetit të shtetit.
Në vend të rritjes së vlerës monetare të koeficientit në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, Kurti ka përqendruar debatin publik te përfitimi i “pagës së 13-të” për zyrtarët publikë. Në këtë mënyrë, ai ka arritur që të kalojë pa u vënë re mungesa e rritjes së vlerës monetare të koeficientit, ashtu siç parashihet në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik 08/L-196.
Në Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, nuk është paraparë askund dhe asnjë rritje e vlerës monetare të koeficientit, ndonëse ky obligim del nga neni 9 i Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, raporton Demokracia.com.
Në paragrafim e parë të këtij neni thuhet se “vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”, por megjithkëtë, vlera e koeficientit do të mbetët e njëjtë me atë të viteve të kaluara, e cila është në shumën e 110 eurove.

Inflacioni i lartë e faturat e shtrenjta, Kurti nuk e bën koeficientin 150 euro
Mijëra shërbyes publikë, nga administrata qendrore e lokale, deri te punonjësit e sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë – do të vazhdojnë të paguhen me të njëjtin bazament financiar, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe kostos së jetesës.
Një pagë e 13-të, edhe nëse realizohet, mbetet një kompensim i përkohshëm dhe nuk ndikon në strukturën afatgjatë të pagave, pensioneve apo shtesave që llogariten mbi bazën e koeficientit.
Sipas ligjit, vlera monetare e koeficientit është themeli mbi të cilin ndërtohen pagat në sektorin publik. Çdo pozitë ka një koeficient të caktuar, i cili shumëzohet me vlerën monetare të miratuar. Nëse kjo vlerë nuk ndryshon, edhe paga bazë mbetet e njëjtë.
Në këtë kontekst, paga e 13-të shihet më shumë si një instrument buxhetor për të amortizuar pakënaqësitë, sesa si një ndikim themelor në pagën e një nëpunësi.
Derisa debati publik është fokusuar te përfitimi i “pagës së 13-të”, analiza financiare tregon një realitet tjetër: mungesa e rritjes së vlerës së koeficientit ka kosto shumë më të madhe për çdo zyrtar publik.
Ja një shembull i thjeshtë:
Një zyrtar publik me koeficient 9 dhe me vlerë aktuale momentare të koeficientit prej 110 euro, paguhet çdo muaj 990 euro. Ky zyrtar, me rrogën e 13-të do të përfitojë vetëm 990 euro në vitin 2026.
Por, nëse vlera e koeficientit do të rritej nga 110 euro në 150 euro, si një përgjigje reale ndaj kostos së lartë mujore, atëherë i njëjti zyrtar do të përfitonte 360 euro pagë më shumë për çdo muaj apo 4,320 euro më shumë gjatë një viti.
Pra, me skemën e Kurtit për “pagën e 13-të”, Kurti ka arritur që të mos i përgjigjet kërkesave dhe nevojave aktuale të qytetarëve të vendit për të mbuluar inflacionin dhe faturat e shtrenjta, pasi qindra-mijëra familje kosovare mbahen përmes rrogës së shtetit.