Komuna e Gjakovës me masa të reja kundër COVID-19

Komuna e Gjakovës ka marrë masa të reja pas situatës së krijuar me koronavirus.

Kështu ka bërë të ditur komuna përmes një njoftimi në Facebook.

“Zbatimi i këtyre masave fillon nga dita e nesërme, më datë 28.10.2020. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve të komunës tonë që t’iu përmbahen këtyre masave”, thuhet në njoftimin e komunës.

Njoftimi i plotë:

Për shkak të situatës së krijuar në komunën e Gjakovës si pasojë e rritjes së rasteve me COVID-19, Kryetari i Komunës, Ardian Gjini, i ndërmerr këto masa:

– Ndalohen te gjitha takimet fizike të administratës komunale me të gjitha palët e interesuara.
– Të gjitha kërkesat e palëve të jashtme, duhet të adresohen në mënyrë elektronike. Administrata komunale obligohet që të ju kthejë përgjigje qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara poashtu online.
– Shërbimi i tatimit në pronë dhe ai i ofiqarisë do të jenë të hapura për qytetarë, në përputhshëmëri me udhëzuesin për masat ndaj COVID-19.
– Qytetarët që hyjnë brenda objekteve të administratës së komunës, obligohen të jenë të pajisur me mjete mbrojtëse. Në të kundërtën nuk do t’iu lejohet hyrja brenda objekteve për të marrë shërbimet.
– Inspektorati i Komunës bashkë me Policinë e Kosovës duhet të vazhdojnë inspektimet rigoroze lidhur me respektimin e masave kundër virusit, në të gjitha institucionet publike, ato private si dhe në hapësira publike.