Projektligji për Specialen: Kufizohet juridiksioni, dënimet në maksimum 15 vjet, rastet mund të kthehen në Kosovë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin që synon ndryshime të rëndësishme në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke prekur juridiksionin e Speciales, periudhën kohore të veprave që mund të trajtojë, dënimet dhe mënyrën e vuajtjes së tyre.

Projektligji, i propozuar nga PDK-ja, nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale, por synon t’ia ngushtojë kompetencat. Sipas propozimit, juridiksioni do të lidhej me pretendimet specifike të raportit të Këshillit të Evropës të vitit 2011, ndërsa nga kompetencat e saj do të hiqeshin krimet që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pretendimet për trafikim të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.

Një ndryshim tjetër lidhet me periudhën kohore. Ligji aktual mbulon veprat e pretenduara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, ndërsa projektligji propozon që kjo periudhë të nisë më 1 korrik 1999 dhe të përfundojë më 31 dhjetor 2000. Po ashtu, juridiksioni territorial do të kufizohej vetëm në veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës.

Projektligji parasheh edhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim. Kjo dispozitë mund të prekë edhe rastet aktuale, në varësi të zhvillimit të procedurave të apelit dhe zbatimit të parimit të ligjit më të favorshëm për të dënuarin.

Në rastet që, sipas juridiksionit të ri, nuk do të ishin më kompetencë e Speciales, procedurat, dosjet dhe provat do të mund të transferoheshin në sistemin gjyqësor të Kosovës. Trupat gjykues do të duhej të rishqyrtonin juridiksionin e rasteve brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit.

Një tjetër ndryshim i propozuar është mundësia e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin e Speciales.

Projektligji parasheh gjithashtu që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të mund t’i vuajnë dënimet në institucionet korrektuese të Kosovës. Për të dënuarit me vendim të formës së prerë parashihet edhe mundësia e faljes presidenciale, megjithëse kjo dispozitë mund të hapë çështje të tjera juridike për shkak të legjislacionit aktual të Kosovës.

Megjithatë, miratimi i projektligjit nuk do të nënkuptonte automatikisht anulimin e aktgjykimeve ekzistuese apo lirimin e personave të dënuar. Procedurat e apelit do të vazhdonin në strukturën ekzistuese të Dhomave të Specializuara dhe vetëm në rast të rigjykimit do të mund të zbatohej juridiksioni i ri.

Projektligji është miratuar në lexim të parë me 91 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime, ndërsa LDK-ja nuk mori pjesë në votim. Ai duhet të shqyrtohet nen për nen në komisionin përgjegjës dhe më pas të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Ndryshimet e propozuara mund të hapin edhe çështje kushtetuese dhe në raport me obligimet ndërkombëtare të Kosovës. Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se nuk janë konsultuar për këtë nismë, ndërsa Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.