Kosova e ka gati karantinën nëse preket nga koronavirusi, këtu do të izolohen të infektuarit (Foto)

Qendra për Mbajtjen e të Huajve në Vranidoll të Prishtinës, është vënë në dispozicion për t’u shndërruar në karantinë, në rast se në Kosovë evidentohet ndonjë rast pozitiv me COVID-19, tashmë e njohur si pandemia koronavirus. Rekomandimin për këtë e ka dhënë Ministria e Shëndetësisë, tash e disa ditë.

12 dhoma të Qendrës për Mbajtjen e të Huajve në fshatin Vranidoll, në dalje të kryeqytetit, janë gati të shndërrohen në karantina, në rast se ndonjë banor në Kosovë rezulton me koronavirus.

Ministria e Shëndetësisë, para gati dy javësh, e ka rekomanduar Ministrinë e Brendshme dhe Administratës Publike në kuadër të së cilës ndodhet qendra, që një pjesë e objektit të shfrytëzohet për karantinë, në rast të shfaqjes së pandemisë COVID-19 në vendin tonë.

Pjesa e cila parashihet, që në rast nevoje të shndërrohet në karantinë, është ajo që deri më tani është shfrytëzuar për mbajtjen e grave dhe fëmijëve, shtetas të huaj, që janë zënë ilegalisht në Kosovë.

Gazeta Online “Reporteri.net” të enjten, ka qëndruar brenda kësaj qendre, në të cilën mund të izolohen të prekurit nga Coronavirusi.

Dhomat brenda në të janë të modeleve të ndryshme. Disa prej tyre janë me nga dy shtretër, të tjerat me nga 4, me kuzhina dhe banjo të përbashkëta. Por ka edhe të tilla që quhen si dhoma të ‘izolimit në vetmi’, brenda të cilave ndodhet vetëm një shtrat dhe pajisjet për pastrim e nevoja fiziologjike.

E një tjetër model i dhomave brenda kësaj qendre është i tillë që parashihet për nga një familje, deri me 5 shtretër. Për dallim nga dhomat tjera të përbashkëta, që të mbajturit edhe banjot i kanë të përbashkëta, në këto 5 dhoma familjare banjot ndodhen brenda tyre dhe shfrytëzohet vetëm nga ata që qëndrojnë brenda dhomës.

Karshi këtyre dhomave ndodhet edhe një dhomë që shfrytëzohet si kënd i lojërave për fëmijë.

Të gjitha dhomat, përveç shtretërve, jorganëve dhe jastëkëve për të fjetur, kanë edhe dollapë për rroba, dhe nga një tavolinë të plastikës me ulëse për qëndrim ditor, shkruan Reporteri.net.

Hapësira e qendrës ka edhe një dhomë të përbashkët ditore me televizor dhe kuzhinë për përgatitje të ushqimit nga vetë të izoluarit, ndonëse atyre parashihet edhe që ushqimi t’u sillet i gatshëm nga qendra.

Nuk mungon as dhoma e lavatriçeve, që të mbajturit të pastrojnë vetë rrobat.

Hyrjet kryesore, në të dy anët e qendrës janë të mbrojtura me hekura, sikurse edhe dritaret, që ngjasojnë në grila të burgjeve. Edhe dyert e dhomave janë prej hekurit dhe mbyllen me çelës nga jashtë, nga punonjësit e qendrës.

Kapaciteti i kësaj pjese të Qendrës për Mbajtjen e Të Huajve në Vranidoll parashihet për diku rreth 40 persona.

Gjatë qëndrimit të Gazetës Online “Reporteri.net”, brenda në këtë qendër, ka kuptuar se në pjesën ku parashihen të izolohen, në rast se ndonjë kosovar preket me koronavirus, aktualisht ndodhet një grua rome, shtetase e Malit të Zi. Porse e njëjta, tash e gati tre javë, nuk është aty për shkak të pandemisë apo një sëmundje tjetër, por për shkakun se është zënë pa dokumente në territorin e Kosovës.

Megjithatë, qendra nuk është se ka marrë ende masat mbrojtëse nga pandemitë apo sëmundjet tjera infektive. Brenda saj lejohesh të futesh pa ndonjë mjet mbrojtës, dhe hyn e del pa u dezinfektuar.

As, dezinfektimi komplet i hapësirës, tash së fundi nuk është bërë ende. Porse merret vesh se një gjë e tillë pritet të ndodhë sot ose nesër.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, mbrëmë në një mbledhje urgjente, pak pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli virusin COVID-19 si pandemi, ka marrë një sërë masash të nevojshme për parandalimin e të ashtuquajturës koronavirus në Kosovë.

Ndërmarrja e procesit edukativo arsimor dhe institucioneve arsimore publike dhe private në të gjitha nivelet deri më 27 mars 2020; pezullimi i përkohshëm i disa linjave të udhëtimit ajror dhe tokësor; Kontrolli i obliguar i udhëtarëve nga ekipet mjekësore të QKMF-ve në të gjitha hyrjet dhe daljet e Kosovës me mbështetje të PK-së; Vetëkarantim i detyruar për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nga zonat epidemike me rrezik të lartë dhe të mesëm, janë vetëm disa nga masat e ndërmarra të mërkurën, me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Vendimi parasheh edhe ndalimin e veprimtarive të restoranteve, klubeve të natës, palestrave, pishinave pas orës 23:00.

“Të ndalohet eksporti i pajisjeve, materialeve dhe medikamenteve mjekësore nga ana e operatorëve ekonomik dhe prodhuesve, përveç me Vendim të Qeverisë. — Të gjitha institucionet qeveritare, si dhe ndërmarrjet publike dhe private detyrohen të ndërmarrin masa për mbrojtje dhe dezinfektim në të gjitha institucionet sipas udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kanë të bëjnë me masat e përforcuara higjienike. — Të gjitha ndërmarrjet publike dhe kompanitë privatë që kryejnë transport publik të udhëtarëve, obligohen të bëjnë dezinfektim të rregullt të mjeteve transportuese. — Të ndalohet transporti i organizuar ndërkombëtar (autobus, minibus dhe të ngjashme) drejt vendeve me rrezik të lartë dhe anasjelltas”, janë masat tjera të Qeverisë.

koronavirusi, sëmundja vdekjeprurëse që u përhap në nëntor të vitit të kaluar në Kinë, ka marrë mijëra jetë në shumë vende të botës, sikurse edhe në Shqipëri.

Deri më tani në Kosovë nuk ka rezultuar asnjë rast me koronavirus, përkundër se testin shëndetësore e kanë kryer dhjetëra persona, për të cilët ka patur dyshime se mund të jenë të infektuar.

Sikurse Qendra e të Huajve në Vranidoll të Prishtinës, në rast të paraqitjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, si karantinë është paraparë të përdoret e Qendra e Inovacionit në Prizren. /Reporteri.net/.