Kosova fiton me mund ndaj Irlandës së Veriut

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka dominuar në fushë, por ka shënuar fitore të ngushtë e të vështirë ndaj Irlandës së Veriut. Të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi me shifrat 3:2. Ishte ndeshja e tretë për Kosovën në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve.

Kosova mbetet e dyta në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve. I ka gjashtë pikë nga tri ndeshje. Udhëheq Greqia me nëntë pikë. Irlanda e Veriut dhe Qipro i kanë nga një pikë.

Kosova e ka nisur fuqishëm ndeshjen. Vedat Muriqi shënoi për 1:0 në minutën e nëntë të takimit. Ai realizoi nga pika e bardhë pasi Milot Rashica u ndal në zonë në mënyrë të palejuar.

“Dardanët” rreshtuan rastet kurse për 2:0 shënoi Zymer Bytyqi në minutën e 19-të. Ai realizoi gol të bukur me goditje nga zona, pas një asistimi edhe më të bukur të Rashicës.

Kosova e kontrolloi lojën në pjesën e parë, por jo deri në fund. Një moment pakujdesi në mbrojtje solli golin e parë për Irlandën e Veriut. Në minutën e 44-t, psa një krosimi nga krahu i majtë, Shayne Lavery shënoi thuajse nga vija e portës. Ai realizoi me kokë në portën e Samir Ujkanit. Me rezultatin 2:1 përfundoi pjesa e parë.

Kjo megjithatë nuk dekurajoi lojtarët e Kosovës që nisën fuqishëm edhe në pjesën e dytë. Vedat Muriqi shënoi për 3:1 në minutën e 52-të. Ai realizoi me goditje nga zona pas një krosimi të Lirim Kastratit. Për Muriqin ishte goli i 20-të me Kosovën.

Edhe në vazhdim, Kosova e kontrolloi lojën. Krijoi edhe disa raste shënimi, ndërsa mysafirët të rrezikshëm u shfaqën në minutat e fundit.

Në minutën e 83-të, Irlanda e Veriut shënoi për 3:2. Pas një goditje dënimi, Daniel Ballard fitoi duel në ajër me Muriqin dhe Mirlind Kryeziun dhe realizoi gol të bukur me kokë.

Menjëherë në aksionin vijues, Irlanda e Veriut ishte në rast të mirë për të barazuar shifrat. Pas një gabimi të Kastratit në krahun e majtë, Conor McMenamin gjuajti nga zona. Por goditjen që po shkonte drejt portës e ndali Betim Fazliji.

Irlanda e Veriut ka provuar të barazoi, por Kosova ia doli të ruaj rezultatin 3:2. Dhe kështu një ndeshje e dominuar dhe me fund të vështirë, u fitua.

Tani Kosova luan me Greqinë, të dielën në Volos. Është ndeshje vendimtare për vendin e parë në grup. Greqia me fitore eventuale e siguron pozitën e parë në grup. Ndërkohë Kosova udhëton për fitore dhe të rrit gjasat për vendin e parë në grup. Në rast të fitores së Kosovës, vendi i parë në grup do të vendosej në ndeshjet e shtatorit.

Ndaj Greqisë, Kosovës do t’i mungojnë edhe Ibrahim Dresheviq, Lirim Kastrati e Betim Fazliji. Ata do të mungojnë për shkak të kartonëve. Ka gjasë të ketë mungesa edhe për shkak të lëndimeve. Disa lojtarë janë ankuar në lëndime në ndeshjen e së enjtes.