Krasniqi i bën thirrje BE-së, SHBA-së e NATO-s që të reagojnë ndaj qasjes së Serbisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me mendje e zemër është me policët e Kosovës, të cilët po qëndrojnë në veri të vendit pas situatës së krijuar në Bërnjak e Jarinje.

Krasniqi tha se në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme.

“Por vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcenim mbi shtetin tonë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se sulmet ndaj institucioneve të vendit, në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës.

“Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim”.

“Njëkohësisht, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht”.

Kreu i PDK-së i ka bërë thirrje BE-së, SHBA-së, NATO-s e partnerëve strategjik të Kosovës, që të reagojnë urgjentisht ndaj kësaj qasjeje, që sipas tij përbën kërcenim të hapur ndaj sovranitetit shtetëror e rendit kushtetues të Kosovës.

“Shteti i Kosovës është produkt i vullnetit për liri. Rruga për jetësimin e shtetit ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, rrjedhimisht e përhershme dhe e pakthyeshme”.

“Përgjegjësia për të është përgjegjësi kombëtare e jo vetëm politike. Presim dhe jemi të gatshëm të mbështesim një qasje që reflekton përgjegjësi shtetërore për menaxhimin e situatës së krijuar”, ka shkruar Krasniqi.