Sunny Hill Festival

Krasniqi për vendimin e Speciales: Drejtësia mund të vonohet, por e drejta nuk ndryshon

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale e cila vendosi ta rrëzojë mocionin e përbashkët të mbrojtjes në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Krasniqi në Facebook ka shkruar se ky vendim, përfaqëson një mundësi të humbur për ta forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet mbi të cilat ajo duhet të qëndrojë, e që sipas tij janë objektiviteti, paanshmëria dhe e vërteta.

“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se historia nuk guxon dhe nuk mund të shkruhet në sallat e heshtura të gjykatave, sepse është shkruar në sakrificat e popullit për liri.

Ka shkruar tutje se drejtësia mund të vonohet, por e vërteta nuk do të ndryshojë asnjëherë.

“Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me padurim vendimin final për lirinë e tyre. Krenaria dhe dinjiteti i atyre që luftuan për këtë vend mbeten të pathyeshme – përjetësisht! Dielli do të lind përsëri – për çlirimtarët, për Kosovën dhe për të vërtetën”, ka shkruar ai.