Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, ka thënë se ata po duan të jetojnë në një realitet alternativ edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses.
Ai ka thënë se Kurti e kishte thirrur takimin e sotëm për të aktruar se kinse po përmbush obligimin e tij që iu dha së fundmi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
“Ky takim që u ftua nga Kurti ndoshta për të aktruar përmbushjen e një obligimi që edhe aktgjykimi i fundit i Kushtetueses për konsultime në mirëbesim dhe për përgjegjësinë e detyrimin për të gjetur konsensus apo kompromis, rezultoi i pasuksesshëm, sepse përkundër faktit që situata nuk është e njëjtë, Kurti është i njëjtë, qëndrimet e tij mbesin të njëjta dhe mentaliteti imponues vazhdon të jetë më e rëndësishme se gjetja e zgjidhjes dhe përfundimi i bllokadës në të cilën është duke e mbajtur vendin”.
Në konferencën për media, ai ka theksuar se në takimin e sotëm kryeministri në detyrë Albin Kurti pati një interpretim tjetër nga ai që është në të vërtetë aktgjykimi i publikuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Është shqetësues fakti që Kurti me aq sa e pash në takim kishte interpretim të çuditshëm të aktgjykimit. Ai mendonte se s’ka asnjë problem as në propozimin arbitrar të votimit të fshehtë dhe as në mënyrën se si janë mbajtur seancat”, ka thënë Krasniqi.