Kryetari i Naftëtarëve: Ka lëvizje të çmimeve të naftës, çmimi real do të duhej të ishte 1 euro për litër

Çmimi i derivateve të naftës pëson sërish ndryshim.

Në tregun e Kosovës, çmimi naftës është prej 1.38 cent, ndërsa i benzinës është 1.31 cent.

Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

“Sot çmimet e derivateve në Kosovë përafërsisht plus minus sillen 1.31 benzina, ndërsa dizeli 1.38. Është treg i lirë dhe i hapur, ka pas rënie në Berz, kjo po reflekton edhe në te ne në Kosovë”, deklaroi ai.

Megjithatë, çmimet dallojnë nga vendi në vend.

Berjani thotë se është treg i hapur, për atë edhe ndryshojnë çmimet varësisht prej destinacionit, dhe po ashtu kërkesës.

“Oferta dhe kërkesa e bën çmimin, është treg i hapur, qytetarët e kanë mundësinë të zgjedhin çmimin më të mirë, dhe më të lirë, ku dëshirojnë me u furnizu. Ka çmime 1.45 cent, ka çmime 1.48, ka çmim 1,30 cent, atëherë është treg i lirë e i hapur, qytetarët mund të zgjedhin aty ku është më lirë, dhe më mirë”, u shpreh ai.

Ai thotë që çmimi i derivateve të naftës do të duhej të ishte për qytetarët e Kosovës maksimum një euro.

Por, sipas tij, kjo nuk varet prej tyre, e as prej Qeverisë.

“Për qytetarët tonë çmimi real do duhej me qenë 1 euro, unë si kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve e di jeta ekonomike çfarë është, por kjo nuk varet nga shoqata e as nga qeveria”, u shpreh ai.