Sunny Hill Festival

Kurti fton në takim liderët e partive, pas vendimit të Kushtetueses

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar për takim krerët e subjekteve politike, të shtunën (nesër), në orën 16:00.

Në ftesën përmes Facebookut, Kurti ka theksuar se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i shpallur dje “thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”.

Ai ka shtuar se kjo iniciativë paraqet një përpjekje të radhës për arritjen e konsensusit për konstituimin e Kuvendit.

“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.