Kurti: Jemi për shtyrjen e zgjedhjeve, por s’e imponojmë qëndrimin tonë

Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë pro shtyrjes së zgjedhjeve lokale.

Ai tha se duhet të respektohet mendimi profesional i IKSHPK-së dhe se zgjedhjet lokale duhet të shtyhen në mënyrë që në muajt nëntor dhe dhjetor të mos ketë valë të re të COVID-19.

“Në këtë takim të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani nga të gjitha subjektet që morën pjesë u paraqitën qëndrime të veçanta. Unë paraqita si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje qëndrimin e kryesisë tonë që është për respektimin e vlerësimit profesional të IKSHPK-së, i nënshkruar nga 11 doktorë në mesin e tyre edhe drejtori Naser Ramadani, që është për shtyrjen e zgjedhjeve”.

“Shtyrja e zgjedhjeve më së shumti i kushton subjektit tonë. Që nga viti 2017 janë mbajtur dy palë zgjedhje nacionale – më 2019 kemi dalë të parët, në vitin 2021 kemi kaluar 50 %. Duke pasë parasysh që aktualisht kemi përmirësim të situatës me pandeminë në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi valë të re, sepse varianti Delta është eksploziv, në muajt nëntor dhe dhjetor ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë nuk imponojmë qëndrimin tonë. Le të merret cilido vendim që merret ne do ta respektojmë atë”.

Megjithatë, Kurti la të nënkuptohet se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve të 17 tetorit, njofton Klankosova.tv.

“Jemi të brengosur meqë nuk krahasohen zgjedhjet lokale me zgjedhjet nacionale. Nuk janë 110 kandidatë, por janë nga 900 kandidatë për subjekt. Nuk votohet vetëm njëherë, por do të kemi edhe balotazh dhe duke pasë parasysh të gjitha këto elemente dhe gjendjen e sistemit tonë shëndetësor mendojmë se është më e drejtë, më e duhur dhe më e mençur që të respektohet me konsensus vlerësimi i profesionistëve të IKSHPK-së, por duket se ky nuk do të jetë rasti”.

Albin Kurti i ka bërë këto komente pas takimit konsultativ që presidentja Vjosa Osmani e ka ftuar me përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend, nga ku kryeministri u largua më herët për të pritur një delegacion austriak.