Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kanë nisur komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke theksuar se kjo fundjavë do të jetë vendimtare.
Kurti ka thënë se synimi është që javën e ardhshme Kosova ta ketë presidentin.
“Kemi filluar komunikimet dhe natyrisht që kjo fundjavë është vendimtare për të pasur marrëveshje, që javën e ardhshme të kemi president”, tha ai, transmetoi EO.
Javën e shkuar, Gjykata Kushtetuese vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Vendimin e arsyetoi duke konstatuar se Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues 30 ditor, dhe se ky afat ka nisur ta rrjedhë afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit.
Partia Demokratike, si e dyta më e madhja në Parlament, ka thënë se tani është e gatshme të diskutojë për president, me kushtin që në Kuvend të miratohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
PDK-ja pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen para verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo parti pati çuar në Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit dhe formimit të Qeverisë, por që ky institucion i cilësoi si jo antikushtetuese.
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke ia kufizuar mandatin, pas dënimit të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 e Rexhep Selimit me 13. Ata u dënuan për krime lufte. Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.
Aleanca është subjekti tjetër që pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen dhe kryetarin e saj, Albin Kurti. Partia më e vogël parlamentare shqiptare vazhdon të refuzojë takimet, pa iu plotësuar kërkesat e saj, të udhëhequra nga ajo për gazin amerikan.
I vetmi subjekt që pati takime me Kurtin qe Lidhja Demokratike e Kosovës. Madje kjo parti pati edhe marrëveshje me Kurtin për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër dhe u rrezikua numri prej 80 deputetësh, aq sa duhet për të zgjedhur presidentin në dy rundet e para. Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidimi. Pas 16 shtatorit, nuk është raportuar për takime mes LDK-së e VV-së.
Moszgjedhja e presidentit të ri deri më 6 tetor e çon vendin në zgjedhje të cilat duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor. E këto zgjedhje do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet. Në shkurt vitin e shkuar zgjedhjet ishin të rregullta, ndërsa më vonë në pamundësi të formimit të qeverisë u mbajtën në dhjetor. E në qershor sivjet u bënë për shkak të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur president.